Ballina Lajmet Kosovë Ngrihet aktakuzë ndaj një serbi të dyshuar për krime lufte

Ngrihet aktakuzë ndaj një serbi të dyshuar për krime lufte

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit me inicialet M.P., i nacionalitetit serb, pasi që i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale “krimi i luftës kundër popullsisë civile”.

Përmes një komunikate është bërë e ditur se vepra është e sanksionuar me ligjin penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.

I pandehuri akuzohet se rreth datës 1 shtator 1998, në afërsi të lagjes “Hoqa Mahalla” në Prizren, ka marrë pjesë në vrasjen e viktimave, Reshat Daçaj, Binak Daçaj e Fatmir Bojaxhiu.

Ndërkaq, kjo çështje penale tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë për procedurë të mëtutjeshme, ndërkaq i pandehuri gjendet nën masën e paraburgimit deri në një vendim të ri nga ana e Gjykatës.