Ballina Lajmet Kosovë Nis afati kushtetues 30-ditor, Kuvendi duhet të konstituohet deri më 7 gusht

Nis afati kushtetues 30-ditor, Kuvendi duhet të konstituohet deri më 7 gusht

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të mërkurën ka certifikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 7 qershor, duke përmbyllur zyrtarisht procesin zgjedhor.

Me certifikimin e rezultateve është finalizuar edhe përbërja e legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës, ndërsa në listën e deputetëve të Aleancës janë reflektuar dy ndryshime.

Me këtë vendim ka nisur të rrjedhë afati kushtetues 30-ditor për konstituimin e Kuvendit. Sipas nenit 66 të Kushtetutës dhe interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, legjislatura e re duhet të konstituohet jo më larg se 7 gushti.

Gjykata Kushtetuese ka sqaruar se termi “mbajtja” e seancës konstituive nuk nënkupton vetëm mbledhjen e deputetëve, por edhe përfundimin e të gjitha veprimeve kushtetuese që e bëjnë Kuvendin funksional, përfshirë verifikimin e mandateve, betimin e deputetëve, si dhe zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Në përputhje me procedurat kushtetuese, ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, do ta thërrasë seancën konstituive brenda afatit të përcaktuar, ndërsa paraprakisht pritet të mbahet edhe takimi përgatitor me përfaqësuesit e subjekteve politike parlamentare për organizimin e saj.

Pas certifikimit të rezultateve, Haxhiu reagoi përmes një postimi në rrjetet sociale, duke e cilësuar këtë si përmbyllje të një procesi të rëndësishëm demokratik.

“Sot, me certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përmbyllet një proces i rëndësishëm demokratik për Republikën tonë. Vullneti i qytetarëve, i shprehur me votë brenda vendit dhe nga bashkatdhetarët tanë, ka marrë tashmë formën e tij përfundimtare institucionale”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo falënderoi institucionet zgjedhore dhe të gjithë ata që kontribuuan në mbarëvajtjen e procesit, duke theksuar se seanca konstituive do të thirret në përputhje me afatet kushtetuese.

“Besimi i dhënë nga qytetarët përfaqëson një përgjegjësi të madhe dhe çdo mandat duhet të ushtrohet me integritet, llogaridhënie dhe përkushtim në shërbim të interesit publik, demokracisë dhe të ardhmes së Republikës së Kosovës”, ka theksuar ajo.

Konstituimi i Kuvendit do t’i hapë rrugë fazës së formimit të institucioneve të reja. Pas zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, ushtruesja e detyrës së Presidentes do ta mandatojë kandidatin për kryeministër, i cili duhet të sigurojë mbështetjen e të paktën 61 deputetëve për formimin e Qeverisë.

Ndërkaq, për zgjedhjen e presidentit, Kuvendi ka afat 60 ditë nga dita e konstituimit, ndërsa për zgjedhjen e kreut të shtetit kërkohen 80 vota.