Një ditë e Muhamedit a.s. në Ramazan

Mr. Rashit Zylfiu

Falënderimi i takon Allahut, që e ka bërë rrugën e dashurisë ndaj Tij të lidhur me pasimin e të dashurit tonë, Muhamedit, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të.
Sa herë që dita dhe nata pasojnë njëra-tjetrën, po aq paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi atë që është udhërrëfyes, kandil ndriçues, thirrës përgëzues, mëshirë e begati hyjnore.
Lidhja e Profetit Muhamed a.s. me ymetin është e veçantë, lidhje që karakterizohet edhe nga aspekti emocional dhe shpirtëror i saj.
Ne gjithmonë duhet të përpiqemi që hapësira kur përshkruajmë diçka nga jeta e tij të mos jetë thjesht përshkrim biografik, por t’i japim brendësisë shpirt dhe emocion, që të lidhemi edhe më shumë me të.
Ramazani më shumë se një projekt jete i mbushur me aktivitete, na jep edhe mundësinë për të eksploruar një ditë të jetës së Muhamedit, alejhi selam.
Edhe pse ai ishte i ngarkuar me aktivitetet dhe detyrat që nga obligon ky muaj, ai u jepte shpirt këtyre ditëve dhe emocione që do ta lidhnin çdo anëtarë të metit të tij me këto ditë pa marrë parasysh distancën kohore nga ai.
Eksplorimi i kësaj dite, se si ai e kalonte, na jep shumë detaje, sepse vetëm kështu do të përkthehej ky adhurim në praktikë për ymetin e tij.
Ky eksplorim nis nga koha kur del hëna e Ramazanit, që ngjall te ne përkujtimet e jetës së të Dërguarit Muhamed, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, për të kujtuar se si ishte gjendja e tij në raport me veprat e mira, shtimi i tyre dhe të garuarit për to. Për këtë arsye ky muaj duhet shfrytëzuar në vepra të mira, që të shtojmë në llogarinë tonë sa më shumë shpërblime. Ne kemi shëmbëlltyrën tonë, Muhamedin, alejhi selam, se si ai vepronte, garonte dhe i inkurajonte të tjerët në vepra të mira gjatë ditëve të Ramazanit.
Pejgamberi Muhamed, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, është shëmbëlltyrë e çdo besimtari që mundohet ta kënaqë Zotin e tij, prandaj kushdo që dëshiron të bëjë vepra të mira, kur ta dëgjojë këtë përshkrim të jetës së tij, duhet të shpejtojë në vepra të mira dhe të largohet nga veprat e këqija dhe ta shfrytëzojë kohën e tij në çdo gjë që i bën dobi për këtë botë dhe botën tjetër.
Kjo reflektoi edhe në jetën e myslimanëve të parë, të cilët garonin për vepra të mira si individë apo edhe si shoqëri. Nuk ka dyshim se çdo garues ëndërron vendin e parë. Në të njëjtën kohë frytet e garës për vepra të mira kanë rezultate të frytshme e të kënaqshme në dynja dhe ahiret. Fryti më madhor i garimit në vepra të mira është afrimi te Zoti i gjithësisë.
Allahu xh.sh. thotë: “…dhe ata që kanë prirë (në besim) e që do të prijnë (edhe në xhenet). Ata janë të afërtit (tek Allahu).” (El Vakkia, 10-11).
Kur nisemi nga fakti se Ramazani është një ndër shtyllat e Islamit me të cilën obligohet agjërimi për çdo besimtar që është mirë mentalisht dhe fizikisht dhe jo udhëtar, nuk ka se si të mos hulumtojmë rreth një dite të të dashurit tonë, alejhi selam. Përkthimin në praktikë të gjithë asaj që zhvillohet për një muaj do ta gjejmë brenda ditëve që ai kaloi në këtë muaj, ngase Pejgamberi, a.s.,(1) e dallonte këtë muaj me adhurime të shumta, me të cilat nuk i dallonte muajt e tjerë.
Një ditë me Muhamedin alejhi selam në Ramazan do të ndahej në tri pjesë.(2)

Pjesa me Zotin e vet

Kjo pjesë ishte shumë e rëndësishme për të, alejhi selam, sepse i jepte prioritet jo vetëm në Ramazan. Në Ramazan me Zotin e vet ai përpiqej të ishte më afër.
Ai një ditë në Ramazan e fillonte me syfyr, edhe pse nganjëherë preferonte që syfyrin ta hante me shokët e tij. Imam Buhariu transmeton nga Zejd bin Thabiti, r.a., i cili ka thënë: “Kemi ngrënë syfyr me Pejgamberin, alejhi selam, më pas u ngrit për ta falur namazin.”(3) Abdullah bin Harithe transmeton nga një sahabi i Pejgamberit, alejhi selam, i cili ka thënë: “Kam hyrë te Pejgamberi, alejhi selam, dhe ai ka qenë duke ngrënë syfyr dhe tha: “Ky është një bereqet të cilin ua ka dhuruar Zoti, prandaj mos e lini!”(4)
Ka ndodhur që ta zë koha e namazit të sabahut, dhe ai kishte nevojë të lahej, kështu ai pastrohej pas agimit, para lindjes së diellit, e falte namazin dhe agjëronte.
Pejgamberi, alejhi selam, bënte iftar para se të falej. Iftarin e bënte me disa hurma të lëngshme nëse gjente, nëse jo, atëherë me hurma të thata. E nëse nuk gjente, atëherë me ujë.(5)
Përmendet se kur bënte iftar, thoshte: “U largua etja, venat u lagën dhe u realizua shpërblimi, nëse do Allahu!”(6)
Enes bin Maliku ka thënë: “Nuk e kam parë asnjëherë Pejgamberin, alejhi selam, të jetë falur para iftarit, edhe në qoftë se ka pirë vetëm një gotë me ujë?”(7) Ai, alejhi selam, preferonte që të falej i vetëm në namazin e natës, që sot njihet si namazi i teravive, edhe pse nganjëherë me të faleshin disa nga shokët e tij.

Pjesa me familjen

Për ata që eksplorojnë në jetën e Pejgamberit, alejhi selam, nuk ka si të mos jetë e hapur çdo herë dera e shtëpisë së tij, për të kuptuar se si u zhvillua jeta familjare, bashkëshortore brenda atyre kasolleve të vogla ku ai jetonte, e sidomos në Ramazan, sepse kjo i jepte shpirt dhe emocion jetës familjare, që duhet të jetë frymëzuese për ne. Aishja, Allahu qoftë e kënaqur me të, i tha të Dërguarit, a.s.: “Çfarë duhet të them nëse e arrij Natën e Kadrit?” Ai tha: “O Allah! Ti je Falës dhe e do faljen, prandaj më fal!”(8)
Një ditë e jetës së Muhamedit, alejhi selam, në Ramazan kishte edhe gëzime. Në Ramazanin e vitit të tretë të hixhretit lindi Hasani, nipi i tij, djali i Aliut dhe Fatimes. Gjithashtu kishte edhe pikëllim, se pikërisht në njërën ndër ditët e Ramazanit vdiq vajza e tij, Rukija, që ishte gruaja e Uthmanit r.a.. Ajo njihej si “migruesja e dyfishtë”, sepse kishte migruar një herë në tokën e Abisinisë dhe herën e dytë për në Medinë.
Pejgamberi, alejhi selam, ditëve të fundit të Ramazanit përpiqej dhe bënte më shumë vepra të mira sesa në ditët e tjera. Aishja na ka njoftuar se Pejgamberi, alejhi selam, angazhohej në dhjetë ditët e fundit (me ibadet dhe vepra të mira) jo si në ditët e tjera, por shtonte dhe përpiqej më shumë.(9)
Gjithashtu ajo na ka treguar se Pejgamberi, alejhi selam, kur vinte dhjetëshja e fundit e Ramazanit, i ngjallte netët (me ibadete), zgjonte familjen e tij prej gjumi, përpiqej (për ibadet të shumtë) dhe shtrëngohej (për ibadet) si dhe largohej nga marrëdhëniet seksuale me gratë (e veta).(10)

Pjesa me ymetin e tij

Ishte praktikë e Pejgamberit, alejhi selam, që t’i përgatiste shokët e tij për Ramazan. Kur afrohej Ramazani, i përgëzonte ata dhe u thoshte: “Juve ju erdhi Ramazani, i cili është muaj i bereqetshëm! Allahu ua bëri obligim (farz) agjërimin e tij. Në këtë muaj hapen dyert e xhenetit dhe mbyllen dyert e xhehenemit dhe shejtanët prangosen. Në të është një natë e cila është më e vlefshme sesa 1000 muaj. Ai i cili privohet nga mirësia e saj, vërtet është privuar nga çdo mirësi.”(11)
Le të ndalemi edhe pak dhe të shpalosim pjesë nga jeta e Muhamedit, alejhi selam, se si ishte një ditë e tij në Ramazan. Këtë na e ka treguar shoqëruesi i tij, i biri i xhaxhait të tij, Ibën Abasi, i cili thotë: “Pejgamberi, alejhi selam në Ramazan, kur takonte Xhibrilin, tregonte një bujari që nuk e kishte në muajt e tjerë. Ai, Xhibrili, e takonte atë për çdo natë të Ramazanit dhe e përsërisnin së bashku Kuranin. Kështu Pejgamberi, alejhi selam, në këtë muaj ka qenë për njerëzit më i dobishëm se era pas së cilës vjen shiu.”(12)
Ai agjëronte nganjëherë edhe pa ndërprerë, por i ndalonte nga kjo shokët e tij. Ata i thoshin “por ti po e vepron një gjë të tillë”, kurse ai, alejhi selam, ua kthente përgjigjen duke u thënë: “Unë dalloj prej jush sepse Zoti im më furnizon me ushqim”.
Ebu Hurejra kumton se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Agjërimi është mburojë. Nëse dikush nga ju është agjërueshëm, mos të flasë fjalë të ndyra e as të mos bëjë zhurmë. E, nëse dikush e fyen apo e sulmon, le t’i thotë unë jam agjërueshëm.”
Pejgamberi, alejhi selam, e përgëzonte ymetin e tij duke u thënë: “Çdo natë Allahu liron njerëz nga zjarri i xhehenemit.”
Ai gjithashtu i shoqëronte njerëzit dhe bashkëjetonte me ta edhe në udhëtimet që kishte.
Nuk shënohet ndonjë ngjarje përveç asaj që shënon Buhariu nga Ebu Derdaja, i cili ka thënë: “Dolëm me Pejgamberin, alejhi selam, në një udhëtim, në një ditë shumë të nxehtë, derisa e vendosnim dorën mbi kokë për shkak të të nxehtit të madh. Asnjëri prej nesh nuk ishte agjërueshëm përveç Pejgamberit, alejhi selam.” Në transmetimin e Muslimit: “Kemi dalë me Pejgamberin, alejhi selam, në muajin Ramazan në një vapë ekstreme.”
Ishte praktikë e tij që njerëzit të jenë solidarë mes vete dhe këtë praktikë të vlerave humane ai e bënte përmes inkurajimit që i bënte ymetit të tij. Nga Zejd ibën Halid el Xhuheni transmetohet se i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kush i jep iftar një agjëruesi, do të ketë një shpërblim të ngjashëm me të tijin, pa iu zvogëluar aspak shpërblimin agjëruesit (që i dha iftarin)”(13)
Le të mbeten ditët e Pejgamberit Muhamed, alejhi selam, në Ramazan frymëzim dhe inkurajim për vepra të mira ashtu siç na ilustron edhe imam Shafiu, i cili thotë: “Dua që njeriu të jetë bujar në Ramazan duke pasuar Pejgamberin, alejhi selam, për shkak të nevojës së njerëzve dhe preokupimit të tyre me agjërimin dhe namazin në raport me furnizimin e tyre.”

_______________
1. Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të.
2. Fejsal bin Alij el Badanij, Hakedha Kane Nebij fi Ramadan, Rijad, Mexheletu-l-Bejan, 2007, fq. 27.
3. Shënon Buhariu, 4/138.
4. Shënon Nesaiu, 4/145.
5. Abdulhakim el Enis, Pejgamberi a.s. në Ramazan, Prishtinë, Kryesia e BIK-ut, 2019, përktheu, Vedat Shabani, fq. 70.
6. Shënon Ebu Davudi.
7. Shënon Ibën Hibani, 8/274.
8. Shënon Termidhiu, 3513.
9. Shënon Muslimi.
10. Shënon Muslimi.
11. Shënon Ahmedi.
12. Shënojnë Buhariu dhe Muslimi.
13. Shënon Termidhiu, nr 807.