Deri në vitin 2035, muslimanët pritet të tejkalojnë të krishterët si bashkësia fetare më e madhe në botë
Mehmet Akif Soysal, Yeni Safak
E ardhmja e politikës botërore nuk do të përcaktohet vetëm nga luftërat, energjia dhe teknologjia. Edhe demografia do të luajë një rol vendimtar në ndryshimin e ekuilibrave të pushtetit.
Një studim i publikuar më 18 nëntor nga Qendra Kërkimore Pew, që përfshin 201 vende dhe rajone, parashtron një parashikim të bujshëm: në vitin 2035, muslimanët pritet të tejkalojnë të krishterët dhe të bëhen bashkësia fetare më e madhe në botë.
Popullsia muslimane, e cila në vitin 2020 ishte 2.02 miliardë banorë, parashikohet të arrijë në 3.64 miliardë deri në vitin 2070. Ndërkohë, popullsia e krishterë pritet të rritet nga 2.27 miliardë në 2.96 miliardë.
Në të njëjtën periudhë, ndërsa popullsia botërore do të shtohet me 29 për qind, ajo muslimane do të rritet me 80 për qind. Si rezultat, pesha e muslimanëve në popullsinë globale do të ngjitet nga 25,6 në 35.8 për qind.
Ndërsa përqindja e njerëzve pa përkatësi fetare do të bjerë nga 24 në 17 për qind. Arsyet kryesore të këtij ndryshimi nuk janë konvertimet fetare, por struktura më e re moshore dhe lindshmëria më e lartë.
Mosha mesatare e muslimanëve është 24 vjeç, kundrejt 33 vjeç për jomuslimanët. Po kështu, numri mesatar i fëmijëve për grua është përkatësisht 3.1 dhe 2,0.
Ndryshime të rëndësishme priten edhe në hartën gjeografike të feve. Sot, vendi me popullsinë më të madhe muslimane është Indonezia. Por në vitin 2070, Pakistanit parashikohet t’i takojë vendi i parë, me 461 milionë muslimanë, ndërsa India do të renditet e dyta, me 334 milionë.
Në Afrikën Subsahariane, popullsia muslimane pritet të rritet nga 369 milionë në 980 milionë banorë. Kjo do të thotë se 27 për qind e muslimanëve të botës do të jetojnë në këtë rajon.
Më shumë se gjysma e të krishterëve do të jenë gjithashtu të përqendruar në Afrikën Subsahariane. Vendi me numrin më të madh të të krishterëve nuk do të jetë më SHBA-ja, por Republika Demokratike e Kongos.
Ndryshimi do të jetë i ndjeshëm edhe në Perëndim. Në Evropë, pjesa e muslimanëve në popullsinë e përgjithshme parashikohet të rritet nga 6 në 13 për qind.
Në Francë, kjo shifër pritet të kalojë nga 9 në 20 për qind, ndërsa në Gjermani nga 7 në 14 për qind. Në 21 vende evropiane, pesha e popullsisë muslimane do të rritet me të paktën pesë pikë përqindjeje.
Në SHBA pritet një tjetër transformim. Përqindja e të krishterëve në popullsinë amerikane do të bjerë nga 64 në 47.8 për qind, duke humbur shumicën. Edhe numri i tyre në terma absolutë parashikohet të ulet nga 217 milionë në 174 milionë.
Shkaku kryesor nuk do të jetë rritja e popullsisë muslimane, por shtimi i njerëzve pa përkatësi fetare, pesha e të cilëve pritet të rritet nga 29.7 në 41.3 për qind. Ndërkohë, përqindja e muslimanëve do të kalojë nga 1.2 në 3.7 për qind.
Çfarë domethënieje kanë këto zhvillime për Turqinë?
Popullsia nuk është thjesht një numër njerëzish. Ajo përfaqëson votues, konsumatorë, sipërmarrës dhe investitorë. Rritja e komuniteteve muslimane në Perëndim mund t’u japë atyre ndikim më të madh në përcaktimin e preferencave politike, veçanërisht në zonat ku gara elektorale është e ngushtë.
Megjithatë, muslimanët nuk përbëjnë një elektorat homogjen. Forcimi i lidhjeve shoqërore dhe kulturore me Turqinë mund të ndihmojë në zbutjen e paragjykimeve dhe përmirësimin e imazhit të vendit.
Për këtë arsye, Turqia duhet ta kthejë transformimin demografik në një strategji afatgjatë. Marrëdhëniet me brezat e rinj duhen ndërtuar që sot, përmes universiteteve, bursave, qendrave kulturore, mediave dhe organizatave të shoqërisë civile.
Synimi nuk duhet të jetë ndërhyrja në politikën e vendeve të tjera, por krijimi i besimit dhe rritja e simpatisë ndaj Turqisë. Dimensioni ekonomik i këtij zhvillimi është po aq i rëndësishëm.
Sipas raportit të DinarStandard për Gjendjen e Ekonomisë Globale Islamike 2025/26, shpenzimet e konsumatorëve muslimanë për ushqime, veshmbathje, kozmetikë, produkte farmaceutike, turizëm dhe media arritën në 2.60 trilionë dollarë në vitin 2024.
Deri në vitin 2029, kjo shifër parashikohet të arrijë në 3.56 trilionë dollarë, pra afro një trilion dollarë më shumë brenda pesë vjetësh. Për Turqinë, kjo përfaqëson një mundësi të jashtëzakonshme.
Por produktet turke nuk do të preferohen automatikisht vetëm sepse po rritet popullsia muslimane. Certifikimi hallall, cilësia, besueshmëria e markave, çmimet konkurruese dhe rrjetet e shpërndarjes do të jenë vendimtare.
Konsumatorëve në Pakistan, Nigeri, Indonezi dhe Evropë nuk mund t’u drejtohesh me të njëjtën strategji. Nivelet e të ardhurave, zakonet e konsumit dhe nevojat ndryshojnë nga një treg në tjetrin.
Prandaj, Turqia duhet të hartojë strategji eksporti të përshtatura për secilin vend, duke lidhur diplomacinë tregtare, marrëdhëniet kulturore, tregtinë elektronike dhe promovimin e markave në një objektiv të vetëm strategjik.
Sepse demografia, në vetvete, nuk prodhon as fuqi ekonomike dhe as ndikim politik. Fuqia e vërtetë qëndron te aftësia për ta kthyer demografinë e së ardhmes në një strategji të së tashmes. Turqia duhet të jetë një vend që krijon vlerë nga ky ndryshim, dhe jo thjesht një vëzhgues i tij. /tesheshi




