Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Një maskarallëk izraelit në Al Aksa, për herë të parë që nga...

Një maskarallëk izraelit në Al Aksa, për herë të parë që nga viti 1967

Reagime të ashpra nga Arabia Saudite & Co, pasi kryezullumqarët e botës u shfaqën të tillë dhe në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit

Të martën, forcat pushtuese izraelite sulmuan besimtarët pranë kompleksit të Xhamisë Al-Aksa, ndërsa ata përpiqeshin të kryenin namazin e mëngjesit, duke u përpjekur t’i shpërndanin dhe t’i pengonin të arrinin në oborrin e xhamisë. Kjo ndodhi mes mbylljes së vazhdueshme të xhamisë për besimtarët dhe vendosjes së masave të rrepta në hyrjet e saj.

Forcat pushtuese sulmuan besimtarët pranë Xhamisë Al-Aksa ndërsa ata po luteshin, në një kohë kur autoritetet pushtuese i penguan besimtarët të hynin në xhami. Kjo detyroi dhjetëra banorë të Jerusalemit të shkonin në pikën më të afërt të mundshme me Al-Aksa për të kryer namazin e tyre.

Disa besimtarë u mblodhën pranë Portës së Damaskut në Jerusalemin e pushtuar, ku kryen namazin pasi u ndaluan të hynin në Xhaminë Al-Aksa, përpara se anëtarët e shërbimeve të inteligjencës së pushtimit të ndërhynin dhe t’i shpërndanin nga zona.

Aktivistët e Jerusalemit në mediat sociale konfirmuan se parandalimi i namazeve brenda Xhamisë Al-Aksa gjatë dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit është një precedent i rrezikshëm, pasi kjo periudhë nuk ka parë masa të ngjashme që nga pushtimi i Jerusalemit në vitin 1967.

Në dritën e këtyre masave, thirrjet midis banorëve të Jerusalemit dhe palestinezëve brenda Izraelit po intensifikohen për të udhëtuar dhe për t’iu afruar Xhamisë Al-Aksa, dhe për t’u lutur në pikën më të afërt të mundshme me të, për të riafirmuar angazhimin e tyre ndaj xhamisë dhe refuzimin e tyre të kufizimeve të vendosura nga policia e pushtimit për hyrjen në të.

Dhe kanë pasuar reagimet e menjëherëshme nga bota islame për këtë akt të ndyrë sionist.

Arabia Saudite ka udhëhequr dënimin e gjerë arab dhe islam kundër bllokadës së vazhdueshme që Izraeli i ka imponuar Xhamisë Al-Aksa, ndërsa ministrat e jashtëm i kanë kërkuar fuqisë pushtuese që të ndalojë menjëherë mbylljen e portave të këtij kompleksi të shenjtë.

Sipas raportimeve të fundit, ministrat e jashtëm të Arabisë Saudite, Jordanisë, Emirateve të Bashkuara Arabe, Katarit, Indonezisë, Pakistanit, Egjiptit dhe Turqisë kanë paralajmëruar zyrtarisht se Izraeli nuk gëzon asnjë sovranitet mbi Jerusalemin e pushtuar apo mbi vendet e tij të shenjta islame dhe të krishtera.

Ata deklaruan se kufizimi i qasjes në vendet e adhurimit përbën një shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare, të drejtës humanitare dhe statusit ekzistues historik e ligjor të qytetit.

Arabia Saudite priu në këtë reagim kolektiv pasi besimtarët u penguan të hyjnë në xhami për të dymbëdhjetën ditë radhazi, një situatë tepër e tensionuar kjo që përkon me muajin e shenjtë të Ramazanit i cili pritet të përfundojë pas pak më shumë se një jave.

Në deklaratën e tyre të përbashkët, ministrat theksuan se kufizimet e sigurisë në aksesin ndaj Qytetit të Vjetër të Jerusalemit, së bashku me masat diskriminuese dhe arbitrare, cenojnë parimin e lirisë së pakufizuar të adhurimit.

Ata rikonfirmuan se e gjithë zona e Al-Aksas, e njohur edhe si Al-Haram Al-Sharif, është një vend i shenjtë ekskluzivisht për myslimanët dhe menaxhohet ligjërisht nga Ministria e Vakëfeve e Jordanisë, e cila ka autoritetin e vetëm për të mbikëqyrur kompleksin.

Përmes Agjencisë Saudite të Shtypit, diplomatët i bënë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të kërkojë me vendosmëri ndalimin e shkeljeve izraelite mbi vendet e shenjta.

Ky reagim vjen në një kohë kur Izraeli ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të konfliktit me Iranin, ku pas sulmeve ajrore izraelite dhe amerikane në territorin iranian që nga fundi i shkurtit, Irani është përgjigjur me sulme të vazhdueshme me raketa dhe dronë në mbarë rajonin. /tesheshi