Ruajtja e vlerave tradicionale përballë axhendave okulte dhe dështimi i qeverisë së Tiranës
Vendimi më i fundit i autoriteteve egjiptiane për të bllokuar ankorimin e anijes “Scarlet Lady” – një kroçerë e organizuar nga komuniteti LGBTQ+ – ka ndezur sërish debate të ashpra politike dhe sociale në mbarë rajonin.
Ky hap vjen si një konfirmim i rreshtimit të qartë ideologjik të vendeve të Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore kundër asaj që konsiderohet si një imponim kulturor perëndimor.
Siç raporton The Guardian, kroçera me rreth 2.000 pasagjerë u njoftua urgjentisht të enjten në mëngjes përmes një letre nën derë se autoritetet e Egjiptit i kishin ndaluar hyrjen në ujërat e tyre territoriale, duke pamundësuar ndalesën e planifikuar në Aleksandri.
Ky bllokim i dytë brenda pak ditësh vjen pasi anija u dëbua fillimisht nga Turqia, ku zyrtarët deklaruan se ky organizim “nuk përshtatet me strukturën e shoqërisë dhe vlerat morale”.
Për shoqëritë dhe vendet me shumicë muslimane, çështjet që lidhen me homoseksualizmin dhe derivatet e tij nuk shihen thjesht si çështje të drejtash individuale, por si një sulm i drejtpërdrejtë ndaj vlerave mijëravjeçare të familjes dhe strukturës tradicionale shoqërore.
Në këtë kontekst, përgjigja e prerë e presidentit egjiptian Abdel Fattah el-Sisi, duke ndjekur shembullin e mëparshëm të presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan, vlerësohet nga qarqet konservatore vendase si reagimi i duhur dhe i domosdoshëm për të mbrojtur moralin publik.
Ky qëndrim i prerë i vendeve të rajonit shërben gjithashtu si një pikë e fortë kontrasti për të analizuar politikat e brendshme të vendeve të tjera, përfshirë Shqipërinë. Ndërsa liderët e këtyre vendeve vendosin veton ndaj fushatave të tilla, qeveria e Tiranës ka ndjekur një rrugë krejtësisht të kundërt.
Vitet e fundit, qeveria në Shqipëri kritikohet se e ka kthyer vendin në një “autostradë” për kalimin dhe implementimin e axhendës LGBT, duke anashkaluar ndjeshmërinë e madhe të opinionit publik vendas dhe trashëgiminë kulturore të shoqërisë shqiptare.
Vendosmëria e El Sisit dhe Erdoganit duhet të shërbejë si një shembull se si duhet të ruhet ekuilibri social përballë presioneve globale. The Guardian thekson se ky precedent do të inkurajojë edhe shtete të tjera që të ndalojnë kroçerat e ngjashme në portet e tyre. \tesheshi




