Një xhami në Gjermani merr letër kërcënuese

Një letër kërcënuese i është dërguar Xhamisë së Unionit Turko-Islam për Çështjet Fetare (DITIB) në qytetin Göttingen të Saksonisë së Ulët në Gjermani, raporton Anadolu.

“Vritni të gjithë Islamin. Nuk do të zgjasë shumë. Gjermanët do t’ju tregojnë juve”, thuhet në letrën, e cila u dërgua me postë më 18 maj dhe e nënshkruar “NSU 2.0” me simbolin nazist të svastikës.

Mehmet Ibrahimbaş, kryetar i Shoqatës së Xhamisë DİTİB në Göttingen, në një deklaratë me shkrim tha se incidenti u nda me policinë dhe u bë një kallëzim penal.

Duke theksuar se një shenjë naziste u vizatua në pjesën e jashtme të xhamisë më 22 shtator 2022 dhe një letër e ngjashme kërcënuese u dërgua me postë më 8 nëntor 2022, Ibrahimbaş tha: “Si komuniteti i xhamisë dhe si muslimanë që jetojnë në Göttingen, ne jemi të shqetësuar. Si bord i drejtorëve, ne bëmë një njoftim në llogarinë tonë në rrjetet sociale dhe xhematin tonë që erdhën në xhami dhe i ftuam të jenë të matur. Si bord drejtues, ne do t’i ofrojmë të gjitha mundësitë që komuniteti ynë të vijë i sigurt në xhaminë tonë dhe të adhurojë i qetë”.

Duke dënuar ashpër incidentin, Ibrahimbaş tha: “Konsulli i Përgjithshëm i Hanoverit të Türkiyes, Gül Özge Kaya dhe kryebashkiakja e Göttingen-it, Petra Broistedt, na përcollën urimet e tyre më të mira dhe deklaruan se janë me ne, me gjithë mbështetjen e tyre”.

Sulmet vazhdojnë

Më 20 maj u krye një sulm në xhaminë në Bad Bentheim, pranë qytetit Osnabrück në Gjermani, nga simpatizantët e organizatës separatiste terroriste PKK.

Thuhet se simpatizantët e organizatës terroriste PKK kanë shkruar emrat e organizatës dhe kreut të saj në muret e xhamisë Bad Bentheim të lidhur me DITIB.

Në vitin 2022 u kërcënuan ose sulmuan 35 xhami

Sipas “Raportit të Sulmeve ndaj Xhamive 2022” të publikuar nga DITIB, njoftohet se vitin e kaluar janë kërcënuar apo sulmuar në mënyra të ndryshme 35 xhami në Gjermani.

Në raportin e përgatitur nga Byroja Kundër Diskriminimit të DITIB, vihet re se 20 nga 35 sulmet janë kryer në formën e dërgimit të mesazheve fyese, sharje dhe kërcënuese në xhami me postë ose e-mail, duke shkruar në muret e 7 xhamive, dëmtime fizike në 6 xhami dhe zjarrvënie në 2 xhami.