Tradita profetike përmend një ngjarje domethënëse: një sahabi, i cili kishte emigruar nga Meka në Medinë, u sëmur rëndë dhe përjetoi një gjendje të thellë mërzie. Ai e mbylli jetën duke prerë damarët e dorës. Ngjarja është e dokumentuar në Sahih Muslim dhe tregon se edhe një besimtar i hershëm, i afërt me Profetin Muhamed ﷺ dhe dëshmitar i shpalljes, megjithate as ai nuk ishte imun ndaj dhimbjes psikologjike.
Depresioni klasifikohet sot edhe si një çrregullim biologjik. Ai shoqërohet me ndryshime kimike në tru (p.sh. në serotoninën dhe dopaminën), çrregullime të gjumit, oreksit, energjisë dhe të menduarit. Trajtimi kërkon ndërhyrje profesionale. Ashtu si diabeti kërkon insulinë, edhe depresioni kërkon trajtim mjekësor.
Roli i fesë është i madh dhe mund të ofrojë ndihmë thelbësore:
• jep kuptim, shpresë dhe forcë morale gjatë trajtimit;
• nxit qëndrueshmëri emocionale;
• krijon rrjete mbështetëse (familje, komunitet, imamë të arsyeshëm);
• ofron praktika si namazi, dhikri, lutja dhe leximi i teksteve fetare, të cilat mund të reduktojnë stresin dhe ankthin.
Megjithatë, roli i fesë nuk e zëvendëson trajtimin profesional, por është një element plotësues dhe bashkërendues i këtij trajtimi.
Rreziku i keqkuptimeve
Praktikat jo-shkencore të disa njerëzve të paaftë ose të pasjellshëm – që marrin pacientin me depresion dhe e çojnë tek “shëruesit” ose përdorin dhunë për të “nxjerrë xhindin” – jo vetëm që nuk ndihmojnë, por shpesh përkeqësojnë gjendjen dhe vonojnë trajtimin e duhur.
Qasja më e shëndetshme është bashkimi i trajtimeve profesionale me mbështetje shpirtërore të arsyeshme dhe humane.
Hoxhë Halil Avdulli








