Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Numri i viktimave nga Ebola tejkalon 1.000 në Kongo dhe Ugandë

Numri i viktimave nga Ebola tejkalon 1.000 në Kongo dhe Ugandë

Numri i viktimave nga shpërthimi i Ebolës në Afrikë ka tejkaluar shifrën 1.000 në Republikën Demokratike të Kongos dhe Ugandë, transmeton Anadolu.

Të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë të Kongos tregojnë se që nga shpallja e shpërthimit më 15 maj numri i rasteve të konfirmuara ka arritur në 2.473, përfshirë 999 viktima.

Deri më 20 korrik, 737 pacientë ndodheshin në izolim ose të shtruar në spitale, ndërsa 482 persona janë shëruar.

Virusi ka prekur pesë provinca, përfshirë Haut-Uele, Ituri, Kivu i Veriut, Kivu i Jugut dhe Tshopo.

Ndërkohë, Uganda ka regjistruar 20 raste të konfirmuara, përfshirë dy viktima, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të vdekurve në të dy vendet në 1.001.

Sipas organizatës ndërkombëtare Save the Children, shpërthimi ka pasur pasoja shkatërruese për fëmijët.

Duke cituar të dhëna qeveritare, organizata tha se 476 fëmijë janë konfirmuar të infektuar me virusin, ndërsa më shumë se 189 prej tyre kanë humbur jetën që nga shpërthimi i epidemisë.

Për fëmijët që tashmë ishin zhvendosur për shkak të konfliktit në Kongo, organizata tha se shpërthimi i Ebolës ka krijuar një krizë të dytë, duke i lënë shumë prej tyre të frikësuar, të shqetësuar dhe pa shpresë.

“Fëmijët në Ituri mbajnë një barrë të madhe emocionale. Shumë prej tyre kanë qenë dëshmitarë të dhunës, kanë humbur të afërm për shkak të shpërthimit të Ebolës ose kanë përjetuar zhvendosje të përsëritura”, tha Babou Rukengeza, përgjegjës për reagimin ndaj Ebolës në Kongo në kuadër të Save the Children.

Drejtori i përgjithshëm i Qendrës Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (Africa CDC), Jean Kaseya, dje përsëriti thirrjen drejtuar liderëve afrikanë dhe partnerëve ndërkombëtarë për të siguruar të paktën 1.4 miliardë dollarë për forcimin e reagimit ndaj shpërthimit në kontinent.

Duke iu drejtuar një sesioni të Asamblesë së Bashkimit Afrikan në kryeqytetin Akra të Ganës, Kaseya tha se buxheti për reagimin ndaj Ebolës është rritur nga vlerësimi fillestar prej 518 milionë dollarësh për shkak të përkeqësimit të situatës.

Grupi i Bankës Afrikane për Zhvillim njoftoi këtë javë një grant prej 13 milionë dollarësh për të mbështetur reagimin dhe për të forcuar masat parandaluese në Republikën Demokratike të Kongos, Sudanin e Jugut dhe Ugandë.