OBSH: 99 për qind e popullsisë së botës thith ajër të pashëndetshëm

Në raport theksohet se 99 për qind e popullsisë së botës jeton nën standardet e cilësisë së ajrit të OBSH-së dhe në kushte ajri që kërcënojnë shëndetin e njeriut

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njofton se pothuajse e gjithë popullsia e botës thith ajër që kërcënon shëndetin e njeriut, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në raportin e publikuar nga organizata para Ditës Botërore të Shëndetit më 7 prill, janë ndarë të dhënat dhe gjetjet për cilësinë e ajrit në 117 vende dhe mbi 6 mijë qytete.

Në raport theksohet se 99 për qind e popullsisë së botës jeton nën standardet e cilësisë së ajrit të OBSH-së dhe në kushte ajri që kërcënojnë shëndetin e njeriut.

Thuhet se ajri në të gjitha vendet dhe qytetet e ekzaminuara përmban grimca të imëta dhe dioksid azoti në një shkallë të dëmshme për trupin dhe se këto elemente gjenden kryesisht në ajër në vendet me të ardhura të mesme dhe të ulëta.

Normat e substancave të dëmshme u rritën më shumë se 6 herë në 11 vjet

Është regjistruar se normat e PM2.5 dhe PM10, të cilat matin sasinë e grimcave të dëmshme në ajër, janë rritur më shumë se 6 herë në 11 vitet e fundit në afërsisht 2.000 qytete.

Këto substanca grimcash mund të hyjnë në mushkëri dhe në qarkullimin e gjakut përmes thithjes të shkaktojnë paralizë dhe sëmundje të frymëmarrjes.

Në përputhje me Direktivën e Cilësisë së Ajrit të OBSH-së, vendeve u kërkohet të “identifikojnë burimet e ndotjes së ajrit duke monitoruar rregullisht cilësinë e ajrit”, “të promovojnë përdorimin e energjisë miqësore të mjedisit për nevoja të përditshme si gatimi, ngrohja dhe ndriçimi”, “të zhvillojnë transportin publik për të reduktuar përdorimin e automjeteve personale në qytete”.

Gjithashtu vendeve u jepen rekomandime për “miratimin e politikave të strehimit për gjenerimin e energjisë së rinovueshme”, “forcimin e industrisë lokale të menaxhimit të mbetjeve” dhe “uljen e djegies së mbetjeve bujqësore”.

Duke ndarë të dhënat se problemet mjedisore të parandalueshme shkaktojnë vdekjen e më shumë se 13 milionë njerëzve në botë çdo vit, iu bë thirrje komunitetit ndërkombëtar për të “mbrojtur shëndetin e njerëzve dhe universit” përpara 7 Prillit, Ditës Botërore të Shëndetit.

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se shqetësimet aktuale për ndotjen e ajrit të shkaktuar nga konsumi i energjisë zbulojnë rëndësinë e nevojës për energji miqësore me mjedisin. /aa