OBSH bën thirrje për forcimin e sistemit global shëndetësor kundër epidemive

Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, bëri thirrje për forcimin e sistemit global shëndetësor në mënyrë që të luftohet më efektivisht kundër epidemive që mund të shfaqen pas koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Ghebreyesus mbajti një fjalim në Samitin Botëror të Shëndetësisë 2021 që u zhvillua në Berlin, në të cilin ai foli për efektivitetin e sistemeve shëndetësore kundër COVID-19.

Ai theksoi se virusi përhapet me shpejtësi, por që të dhënat mund të përhapen më shpejtë. “Vendet dhe shoqëritë me rrjedhën e informacionit të saktë mund të parandalojnë rreziqet shëndetësore në rritje dhe mund të shpëtojnë jetë”, shtoi Ghebreyesus.

Ai tha se rrezikun epidemik e nxisin edhe zhvillime të tilla si urbanizimi, pakësimi i pyjeve dhe ndryshimi i klimës.

“Teknologjitë e reja ofrojnë mundësi që pandemitë të parashikohen, të diagnostikohen dhe të parandalohen më herët si dhe që të luftohet me pandeminë më shpejt se sa gjithmonë. Shpëtimi i jetës duke përfituar nga fuqia e teknologjive të reja nuk është një mundësi, por domosdoshmëri”, u shpreh Ghebreyesus.

Ghebreyesus tërhoqi vëmendjen mbi nevojën për forcimin e sistemit global shëndetësor në mënyrë për të qenë më të përgatitur kundër epidemive globale që mund të shfaqen pas COVID-19. “Asnjë institucion ose vend nuk mund ta bëjë i vetëm këtë. Për këtë arsye ne përdorim termin ‘mendje e përbashkët’ në mënyrë që të kuptohet qëllimi i objektivit tonë”, tha Ghebreyesus.

Duke theksuar se për të siguruar një luftë efektive kundër epidemive globale, kanë planifikuar të ndërtojnë një rrjet “të mendjes së përbashkët” nën strukturën e OBSH-së, Ghebreyesus tha se “Rrjeti i OBSH-së do të mbledhë shkencëtarë, shpikës, politikanë, ekspertë të shëndetësisë dhe përfaqësues të shoqërisë civile në mbarë botën. Mendimet e paraqitura nga ekspertët e fushave të ndryshme do të shpejtojnë aktivitetet diagnostikuese kundër pandemive”. /aa