Ballina Lajmet Rajon dhe Botë OKB: Izraeli vazhdon vrasjet e palestinezëve në Gaza

OKB: Izraeli vazhdon vrasjet e palestinezëve në Gaza

Ajith Sunghay

Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut në Territorin Palestinez të Okupuar shprehu tronditje të thellë për “vazhdimin e vrasjes së civilëve si pasojë e sulmeve izraelite në Gaza”.

Në një deklaratë për shtyp, zyra bëri të ditur se të paktën 11 palestinezë u vranë në sulme të ndodhura më 21 janar, duke theksuar se kjo përbën pjesë të një modeli më të gjerë dhune të vazhdueshme pas armëpushimit, në kushtet e pasojave të rënda të dy viteve shkatërrim.

OKB-ja theksoi se komuniteti ndërkombëtar duhet të rrisë mbështetjen dhe presionin për të ndalur gjakderdhjen dhe për të nxitur një qasje të bazuar në të drejtat e njeriut për rimëkëmbje dhe rindërtim.

Drejtori i Zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Territorin Palestinez të Okupuar, Ajith Sunghay, deklaroi se “kriza në Gaza nuk i është afruar aspak fundit. Njerëzit po vdesin çdo ditë, qoftë nga sulmet izraelite, apo si pasojë e vazhdimit të kufizimeve izraelite për hyrjen e ndihmave humanitare, veçanërisht për strehimin, çka ka çuar në vdekje nga të ftohtit dhe shembja e ndërtesave mbi banorët”.

Sipas zyrës, që nga shpallja e armëpushimit janë vrarë 477 palestinezë në sulme izraelite në Gaza, shumica prej tyre civilë. Po ashtu, u regjistrua vrasja e të paktën 216 palestinezëve nga momenti i armëpushimit deri më 21 janar 2026, përfshirë të paktën 46 fëmijë dhe 28 gra, në sulme të kryera larg të ashtuquajturës “vija e verdhë”, të cilat kanë pasur në shënjestër kryesisht qendrat e strehimit të të zhvendosurve dhe ndërtesa banimi.

Deklarata shton se këto përfshijnë 126 sulme të raportuara nga dronë izraelitë në pjesë të ndryshme të Gazës, që kanë shkaktuar vrasjen e të paktën 87 palestinezëve, mes tyre 12 fëmijë dhe shtatë gra. Gjatë së njëjtës periudhë, raportohet gjithashtu se të paktën 167 palestinezë janë vrarë në afërsi të “vijës së verdhë”, përfshirë 26 fëmijë dhe 17 gra. /mesazhi