OKB: Mbi 90 emigrantë humbin jetën në Mesdhe

Më shumë se 90 emigrantë të parregullt kanë vdekur në një tragjedi që ka ndodhur në Mesdhe, ka shkruar në Twitter Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët, Filippo Grandi.

“Më shumë se 90 njerëz kanë vdekur në një tjetër tragjedi në Mesdhe”.

Kështu shkruan në Twitter Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët, Filippo Grandi në ripostimin e mesazhit të organizatës humanitare Mjekët pa Kufij (MSF).

“Evropa ka dëshmuar aftësinë e saj për të pritur bujarisht dhe efektivisht katër milionë refugjatë nga Ukraina. Tani ajo duhet të mendojë urgjentisht se si ta zbatojë këtë për refugjatët dhe migrantët e tjerë që trokasin në derën e saj,” shtoi ai referuar standardit të dyfishtë të vendeve evropiane ndaj emigrantëve.

Mjekët pa Kufij (MSF) konfirmuan informacionin. Sipas MSF, anija e mbingarkuar u mbyt në ujërat ndërkombëtare disa ditë pasi ishte larguar nga Libia dhe po përpiqej të kalonte Mesdheun.

Libia konsiderohet si një nga vendet kryesore të tranzitit në rrugën përdorin emigrantët e parregullt për të shkuar nga Afrika e Veriut në Evropë. /trt