OKB: Nevojiten 16 miliardë dollarë për rindërtimin në Pakistan

Kombet e Bashkuara kanë vlerësuar se për rindërtimin dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike në Pakistan, nevojiten 16 miliardë dollarë.

Nuk është ende e qartë se sa fonde u mblodhën saktësisht në konferencën e organizuar nga OKB-ja, në Gjenevë të hënën në orët e vona të pasdites. Vetëm Banka Islamike për Zhvillim (ISDB) premtoi 4.2 miliardë dollarë.

Gjermania do të ofrojë 94 milionë euro (90 milionë dollarë) për Pakistanin.

“Kjo është një krizë që Pakistani nuk mund ta kapërcejë i vetëm”, tha në Gjenevë sekretari i Shtetit në Ministrinë për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim të Gjermanisë, Jochen Flasbarth.

Ndihma e Gjermanisë do të përdoret për të financuar projekte si ndërtimi i baseneve të ruajtjes së ujërave të shiut dhe sistemeve të kullimit.

Gjermania ka premtuar tashmë 67 milionë euro për të rindërtuar infrastrukturën dhe për të trajtuar pasojat sociale pas përmbytjeve verën e kaluar.

“Është thelbësore që ne të mbështesim Pakistanin jo vetëm në rindërtimin e menjëhershëm, por edhe në përshtatjen më të mirë dhe të qëndrueshme ndaj ndryshimeve klimatike”, tha Flasbarth.