OKB: Numri dhe kohëzgjatja e thatësirave rritet me 29%

Numri dhe kohëzgjatja e thatësirave është rritur globalisht me 29% që nga viti 2000, sipas raportit të OKB-së për thatësirën e paraqitur të mërkuren në Konferencën e 15-të Botërore të Tokës në Abidjan, Bregu i Fildishtë.

Sipas raportit, dëmi ekonomik i shkaktuar nga thatësirat është rreth 124 miliardë dollarë vetëm për vitet 1998-2017.

“Toka po thahet, tokat pjellore po kthehen në pluhur dhe po mbizotëron thatësira”, paralajmëroi sot Ibrahim Thiaw, sekretari Ekzekutiv i Konventës së OKB-së për Luftimin e Shkretëtirëzimit (UNCCD).

“Thatësirat janë ndër kërcënimet më të mëdha për zhvillimin e qëndrueshëm, veçanërisht në vendet në zhvillim, por edhe në vendet e zhvilluara”, tha ai.

Mungesa dramatike e ujit dhe thatësira e vazhdueshme deri më tani kanë prekur kryesisht vendet e pazhvilluara, si rajonin afrikan Sahel.

Vetëm këtë vit, sipas OKB-së, gati 160 milionë fëmijë po përballen me thatësirën e rëndë dhe të zgjatur dhe mbi 2.3 miliardë banorë në mbarë botën kanë furnizim të pamjaftueshëm me ujë.

Deri në vitin 2040, një në katër fëmijë në mbarë botën mund të preket nga mungesa e ujit.

Ndërkohë, deri në vitin 2050, më shumë se tre të katërtat e popullsisë së botës mund të preken nga thatësira. /atsh