OKB: Numri i viktimave në konfliktin në Sudan është rritur në 427

Kombet e Bashkuara (OKB) raportuan se numri i personave që kanë humbur jetën për shkak të përleshjeve që vazhdojnë midis ushtrisë dhe Forcave paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) në Sudan është rritur në 427, transmeton Anadolu.

Sipas një deklarate me shkrim nga Zyra e Koordinimit Humanitar të OKB-së (OCHA), konflikti i nisur në Sudan më 15 prill vazhdon ende.

Të paktën 427 persona kanë humbur jetën në përleshjet e armatosura dhe më shumë se 3.700 persona tjerë janë plagosur.

Së paku 11 qendra shëndetësore janë sulmuar dhe shumë qendra shëndetësore në Khartum dhe Darfur janë jashtë shërbimit.

Civilët nga zonat e konfliktit janë larguar në Çad, Egjipt dhe Sudanin e Jugut, ndërsa shumë organizata ndërkombëtare kanë evakuuar personelin e tyre nga vendet ku ata aktualisht nuk janë në gjendje të operojnë.

Organizatat ndërkombëtare vazhdojnë shërbimet e tyre aty ku është e mundur.

Konflikti mes ushtrisë dhe RSF-së në Sudan

Përleshjet e armatosura filluan mes ushtrisë dhe RSF-së paraushtarake mëngjesin e 15 prillit në kryeqytetin e Sudanit, Khartum, dhe qytete të tjera.

Mosmarrëveshja në muajt e fundit mes ushtrisë dhe RSF-së për reformën e sigurisë ushtarake, e cila parasheh “pjesëmarrjen e plotë të RSF-së në ushtri”, ishte kthyer në një konflikt të nxehtë.

Ministria e Punëve të Jashtme sudaneze njoftoi se Kryetari i Këshillit të Sovranitetit dhe Komandanti i Ushtrisë Gjeneral Abdulfettah al-Burhan kishte vendosur të shpërndante RSF-në, e cila u përplas me ushtrinë, dhe ta shpallte atë forcë rebele kundër shtetit.