Një zyrtare e lartë e OKB-së ka paralajmëruar në Këshillin e Sigurimit se situata e sigurisë në rajonin e kontestuar Abyei, mes Sudanit dhe Sudanit të Jugut, është përkeqësuar ndjeshëm gjatë gjashtë muajve të fundit.
Martha Ama Akyaa Pobee, ndihmës-sekretare e përgjithshme për Afrikën në Departamentin e Çështjeve Politike dhe Operacioneve të Paqes të OKB-së, tha se lufta në Sudan dhe paqëndrueshmëria në Sudanin e Jugut kanë ndikuar negativisht në përpjekjet për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Abyeit.
Sipas saj, mjedisi i sigurisë është bërë më i rrezikshëm për shkak të kriminalitetit, përhapjes së armëve dhe pranisë së grupeve të armatosura të paautorizuara.
Forca Paqeruajtëse e OKB-së në Abyei (UNISFA) ka regjistruar 196 incidente sigurie, ku kanë humbur jetën 58 persona dhe janë plagosur 69 të tjerë, shifra që paraqesin rritje të konsiderueshme krahasuar me periudhën e mëparshme.
Pobee theksoi se UNISFA vazhdon patrullimet dhe angazhimin me komunitetet lokale për të mbrojtur civilët dhe parandaluar përshkallëzimin e dhunës, por shtoi se zgjidhja afatgjatë kërkon vullnet politik nga të dyja vendet.
Ajo bëri thirrje për tërheqjen e forcave të paautorizuara, krijimin e një shërbimi policor në Abyei dhe mbështetje më të madhe nga Bashkimi Afrikan dhe komuniteti ndërkombëtar.
UNISFA është vendosur në Abyei që nga viti 2011, pas tensioneve në rajonin e pasur me naftë. /mesazhi


