OKB për 100 ditët e para të konfliktit: Lufta në Ukrainë nuk do të ketë fitues

Amin Awad

Lufta në Ukrainë nuk do të ketë fitues, deklaroi zëvendëssekretari i përgjithshëm dhe koordinatori i Krizave të OKB-së për Ukrainën, Amin Awad në ditën e njëqindtë të pushtimit rus.

“Kjo luftë nuk ka dhe nuk do të ketë fitues. Përkundrazi, ne kemi dëshmuar për 100 ditë humbje jetësh, shtëpish, punësh dhe perspektivash”, tha Awad.

“Ne kemi nevojë për paqe. Lufta duhet të përfundojë. Pushtimi rus i nisur më 24 shkurt e ka vënë përpara një sfide të vështirë popullsinë civile”, nënvizoi ai, duke folur për dëmtimet, shkatërrimet në qytete dhe fshatra, por edhe për jetët e humbura, shtëpitë, punët dhe mundësitë.

“Në më pak se tre muaj, afro 14 milionë ukrainas janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, shumica prej tyre janë gra dhe fëmijë”, shtoi zyrtari i lartë i OKB-së, duke e konsideruar këtë fenomen si të paprecedentë në histori. /atsh