OKB: Sulmi rus ndaj stacionit hekurudhor në Ukrainë “absolutisht i papranueshëm”

Zëdhënësi i OKB-së tha se sulmet e këtilla janë “shkelje të rënda të ligjit ndërkombëtar humanitar dhe ligjit ndërkombëtar të të drejtave të njeriut” dhe autorët e tyre duhet të “mbahen përgjegjës”

OKB-ja dënoi sulmin vdekjeprurës rus në një stacion hekurudhor në qytetin lindor Kramatorsk të Ukrainës, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Sulmi sot në stacionin hekurudhor Kramatorsk në Ukrainën lindore, i cili vrau dhe plagosi shumë civilë që prisnin të evakuoheshin, duke përfshirë shumë gra, fëmijë dhe të moshuar, dhe sulme të tjera kundër civilëve dhe infrastrukturës civile, janë absolutisht të papranueshme”, tha në një deklaratë me shkrim Stephane Dujarric, zëdhënës i kreut të OKB-së, Antonio Guterres.

Ato sulme, tha ai, janë “shkelje të rënda të ligjit ndërkombëtar humanitar dhe ligjit ndërkombëtar të të drejtave të njeriut” dhe autorët e tyre duhet të “mbahen përgjegjës”.

“Sekretari i Përgjithshëm u kujton të gjitha palëve detyrimet e tyre sipas ligjit ndërkombëtar për të mbrojtur civilët dhe urgjencën për të rënë dakord për armëpushimet humanitare në mënyrë që të mundësohet evakuimi i sigurt dhe qasja humanitare për popullatat e bllokuara në konflikt”, thuhet në deklaratë.

Në deklaratë, zëdhënësi përsëriti gjithashtu apelin e kreut të OKB-së për të gjitha palët e përfshira për “t’i dhënë fund të menjëhershëm kësaj lufte brutale”.

Autoritetet ukrainase thanë se të paktën 50 persona, përfshirë pesë fëmijë, u vranë në një sulm rus në një stacion hekurudhor në Kramatorsk.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy e quajti sulmin “pafundësisht të ligë”, duke thënë se forcat ruse goditën stacionin me raketa Tochka-U.

Kremlini, megjithatë, mohoi raportet e Ukrainës për sulmet ajrore ruse në stacionin hekurudhor.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha në një deklaratë se pretendimet e Kievit për një sulm vdekjeprurës me raketa ruse në Kramatorsk janë një provokim dhe “absolutisht nuk korrespondojnë me realitetin”. /aa