Omer ef. Shkupjani – ligjërues i “Aja Sofisë”

Në burimet e kohës që kanë shkruar për të, dëshmohet se Omer Uskubi arriti shkallë të lartë të diturive, veçanërisht në tefsir dhe hadith, duke u bërë kështu ligjërues i mësimeve të tefsirit dhe hadithit në xhamitë kryesore të Stambollit.

Prejardhja dhe fillet e para

S’ka dyshim që ne si shqiptarë i kemi dhënë botës emra të mëdhenj të dijeve fetare dhe jo vetëm. Ndër dijetarët e shquar që ka lënë gjurmë në Perandorinë Osmane, e që shumë pak njihet te ne, për të mos thënë fare, është edhe dijetari Omer el-Uskubi (shq. Shkupjani). Emri i tij i plotë siç e gjejmë te disa libra biografik në gjuhen arabe është Uaidh Shejh Omer ibën Muhamed el-Uskubi ed-Debrevi.(1) Babai i tij pra quhej Muhamed, kurse ai vetë njihet me shumë epitete e pseudonime nga më të ndryshmet që vënë në pah prejardhjen, angazhimet dhe detyrat fetare të tij. Në veprat e tij dhe burimet e autorëve të kohës së tij e gjejmë më tepër si: Omer “el-Uskubi” (shq. Shkupjani), Omer “Debrevi” (shq. Dibrani), Omer “Fani Efendi” (“fani”: epitet i përdorur kryesisht nga sufistët – shq. i vdekshëm), “Uaidh Aja Sofia” (shq. ligjëruesi i “Aja Sofisë”) etj.. Po ashtu njihet edhe me tituj dhe ofiqe të shumta si: “Shejhu’sh-shujuh” (shq. dijetari i tefsirologëve), “Raisu’l-mufessirinë” (shq. Prijësi i tefsirologëve), “Taxhu’l-muhad-dithinë” (shq. kurora e muhadithinëve),(2) etj..
Omer Uskubi lindi në Dibër të Maqedonisë së Veriut të sotme,(3) e për vitin e lindjes së tij nuk kemi të dhëna. Porse bazuar në vitin e vdekjes së tij, e që në shumicën e burimeve jepet viti 1033, respektivisht 1624, mund të konkludojmë se jetoi në gjysmën e dytë të shek. XVI dhe gjysmën e parë të shek. XVII.. Kurse sa i takon fëmijërisë së tij sipas burimeve të kohës supozohet ta ketë kaluar në qytetin e lindjes.
Mendohet se mësimet e para i ka marrë në Dibër dhe në Shkup, i cili ishte qendra kryesore politike dhe kulturore e Vilajetit të Kosovës në kohën që i referohemi. Më pas burimet shënojnë se në vitin 999/1591 mësimet i ka vazhduar në Stamboll (i quajtur Kostandinopojë atë kohë) më saktësisht në medresenë e Sulejmanijes, si nxënës i Hoxhazade Mehmet Efendisë.(4)

Dituria e tij, personaliteti dhe detyrat në të cilat shërbeu

Pasi mori mësimet e para si nxënës i Mehmet Efendisë, ngarkohet me një detyrë që e kthen në Shkup. Aty emërohet si “kassam-i askeri”, funksion që kishte të bëjë me ndarjen e trashëgimisë së ushtarëve të rënë në luftë.(5) Rrugëtimin e dijes e vazhdoi pas pak vitesh, saktësisht në vitin 1004/1595, kur përsëri kthehet në Stamboll, por kësaj radhe si shoqërues i dijetarit Abdulmumin Efendi, duke u bërë murid i tij, e më pas zëvendës i tij në tekijen Terxhuman. Abdulmumin Efendiu jo vetëm që ishte mësuesi kryesor i tij, por edhe vjehërri, meqë më vonë martohet me vajzën e tij.(6)
Për sa i përket dijetarëve të tjerë nga të cilët mori mësim, vetë Omer Uskubi e përmend në një nga veprat e tij,(7) se dituritë dhe ixhazetin në fushën e hadithit i ka marrë nga Abdurrahman el-Bahuti el-Hanbelij, emër tjetër i famshëm nga mësuesit e tij e që i takonte pra medhhebit hanbeli.
Ndërsa kur jemi te detyrat dhe angazhimet e tij publike, përveç “kassam-i askeri” ai ishte po ashtu ligjërues në xhaminë “Sulltan Selim”, “Sulltan Mehmet” dhe xhaminë “Sulltan Sulejman”. Ai gjithashtu ishte pjesëmarrës me detyrë në dy ngjarje të rëndësishme të kohës: në ekspeditën e Egrit nën udhëheqjen e Sulltan Mehmetit III, në funksionin e rritjes së motivacionit të ushtarëve; si dhe morri pjesë në ekspeditën e Estergonit të udhëhequr nga sadrazemi, Lala Mehmet Pasha.(8)
Por mbi të gjitha angazhimi më i rëndësishëm i tij ishte puna e tij si ligjërues në xhaminë e famshme “Aja Sofia” nga edhe e ka marrë epitetin “Vaizi i Aja Sofisë”.(9) Kjo detyrë mjaftueshëm na vërteton zotësinë e tij në dijet fetare, sepse siç dihet, në xhaminë “Aja Sofia” kanë pasur privilegjin të shërbejnë vetëm dijetarët më të arrirë të kohës. E këtë funksion e kreu deri në fund të jetës së tij.
Në burimet e kohës që kanë shkruar për të, dëshmohet se Omer Uskubi arriti shkallë të lartë të diturive, veçanërisht në tefsir dhe hadith, duke u bërë kështu ligjërues i mësimeve të tefsirit dhe hadithit në xhamitë kryesore të Stambollit. Dëshmohet po ashtu elokuenca e tij, fuqia e argumentimit, qëndrueshmëria e tij përkrah të vërtetës dhe devotshmëria e tij. Hulvizade dhe Ibrahim Peçevi, theksojnë në veprat e tyre se ai kishte diapazon të gjerë të njohurive dhe se në ligjëratat e tij të tefsirit nuk mbështetej në shënime, por ligjëronte nga dituria e tij.(10) Po ashtu Hulvizade ka thënë: “Në ligjërimet e tij ishte shumë elokuent, fliste vetëm të drejtën dhe nuk ngurronte nga askush ta thoshte çdoherë të vërtetën. Obligimet dhe ndalesat fetare i shpjegonte në formën më të mirë.”(11) Tërë këtë që thamë e vërtetojnë edhe detyrat në të cilat shërbeu, epitet e shumta që u përmenden më lartë, si dhe pa dyshim veprat që ka lënë. Në veprat e tij në tefsir dhe jo vetëm, vërehet zotësia e tij në këto fusha dhe stili i tij kritik, ku bie në sy fakti se kritikon shkencërisht edhe emra të mëdhenj të fushës siç janë Zemahsheriu, Rraziu, Bejdaviu(12) etj..
Shejh Omer Uskubi i takonte medhhebit të Ehli Sunnetit në çështjet e besimit. Kjo shihet qartë në polemikat që zhvillonte në veprat e tij ndaj mutezilinjëve dhe grupeve të tjera.(13) Kurse sa i përket fushës së jurisprudencës, ai i takonte medhhebit hanefi,(14) siç është rasti me shumicën e dijetarëve në vendet ku ka jetuar. Gjithashtu ishte nga shejhët e tarikatit halvetije të sufizmit.(15) Këtu ia vlen të ceket se ai ishte shumë i balancuar në këtë aspekt, larg nga teprimet apo lajthitjet eventuale që mund të mendohen sot kur përmendet suf?zmi.

Veprat e shkruara

Omer Uskubi ka lënë disa vepra të shkruara, kryesisht ne fushën e tefsirit dhe tesavufit. Veprat e tij në tefsir që dihen deri më tani janë të përmbledhura në veprën me titull “Fethu’l-gita an vexhh el-azra”. Kjo vepër i takon llojit të glosarit-shpjegimit (hashije) dhe kritikës shkencore, e në këtë rast bëhet fjalë për koment dhe kritikë rreth tefsirit të Bejdavit dhe komenteve të tjera të tij. Në këtë vepër janë të përfshira edhe risalet në tefsir që janë të shkruara ndaras, por që nuk mund të konsiderohen vepra të pavarura, për shkak të përmbajtjes së paktë që zënë, sepse bëhet fjalë për vetëm disa faqe.
Pra veprat e tij në tefsir që i gjejmë si tituj të ndarë janë:

• “Fethu’l-gita an vexhh el-azra”,
• “Beyanu akvali tefsiri’l-Kadi fi ayati’l-mevazin”,
• “Ta’lik ala tefsir “fe la jekun fi sadrike haraxh”,
• “Risaletun mutealikatun bi ayati’l-meuazin”.

Kurse në tesavvuf(16) la këto vepra:

• “El-huxhxhetu’n-nejjire fi beyani’t-tarikati’l-munire”,
• “Kitabu adabi’t-tarika”,
• “Samsamu’l-hisam”,

Veprat e tjera:

• “Bedru’l-budur fi fadailu’sh-shuhur”,
• “Kiyafetname”,
• “Menakib”.

Në shumicën e burimeve përmendet se Omer Uskubi vdiq pas kryerjes së haxhit në vitin 1033, respektivisht në vitin 1624(17), përveç Bursali Mehmet Efendiut që cek vitin 1032/1623.(18) Por versioni i parë merret si më i saktë, meqë shumica i takojnë atij mendimi.

_____________________________
1. El-Bagdadi, Ismail bin Muhammed, Hedijetu’l-arifinë esmau’l-muel-lifinë ue atharu’l-musan-nifinë, botimi 1, Stamboll: Muesse-tu’t-Tarih’l-Arabij, 1951, I/797.
2. Ata?i?, Nev’iza?de, Hadâikü’l-hakâik fi tekmileti’?-?akâik, botimi 1, Stamboll: Türkiye Yazma Eserler Kurumu Ba?kanl???, 2017, II/1855; Peçevi, ?brahim, Peçevi Tarihi, përgatiti Bekir S?tk? Baykal, Ankara: Botimi 1, Kültür ve Turizm Bakanl???, pa vit botimi, II/335; Hulvi?za?de, Mahmud Cema?leddin, Lemezât-? Hulviyye ez Lemeât-? Ulviyye, përgat. Mehmet Sarhan Tay?i, Stamboll: Marmara Üniversitesi ?lahiyat Vakf?, 1993, 604; Süreya, Mehmed, Sicill-i Osmanî, përgat. Nuri Akbayar, Stamboll: Tarih Vakf? Yurt, pa vit botimi, IV/1315.
3. Atai, vepra e cekur, II/1855; Süreya, vepra e cekur, IV/1315.
4. Atai, vepra e cekur, II/1788.
5. ?slam Ansiklopedisi, ?stanbul: TDV, 2001, 24/579-582.
6. Atai, vepra e cekur, II/1855.
7. El-Uskubi, Omer, El-Huxh-xhetu’n-nej-jira fi bejani’t-tarikatu’l-munira, dorëshkrim, Universiteti i Stambollit, nr. 3808, fleta b/52.
8. Hulvizade, vepra e cekur, 604; Atai, vepra e cekur, II/1855; Peçevi, vepra e cekur, II/335.
9. El-Uskubi, Omer bin Muhammed, Fethu’l-gita an vechi’l-azra, dorëshkrim, Universiteti i Stambollit, nr. 616 – A2134, fleta b/56; Atai, vepra e cekur, II/1788, Süreya, vepra e cekur, IV/1315, Peçevi, vepra e cekur, II/335.
10. Hulvizade, vepra e cekur, 604; Peçevi, vepra e cekur, II/335.
11. Hulvizade, vepra e cekur, 604
12. Shiqo. Zullufi, Samir, Ömer bin Muhammed el-Üskübî ve Fethu’l-m ?itâ an Vechi’l-Azrâ adli eseri – inceleme ve tahkik – (Punim Masteri), Stamboll: Universiteti Marmara, 2020, 67-87.
13. Shiqo: Uskubi, Fethu’l-Gita, fletët a/34, a/38, a/54.
14. Uskubi, El-Huxh-xhetu’n-nej-jira, fleta a/52; Uskubi, Fethu’l-Gita, fleta a/29.
15. Uskubi, El-Huxh-xhetu’n-nej-jira, fleta a/52; Bagdadi, vepra e cekur, I/797; Hulvizade, vepra e cekur, 604.
16. Për veprat e tij në tesavuf dhe jetën e tij ka edhe një punim doktorate: ?diz, Ferzende, Ömer Fânî Efendi ve Tasavvufa Dair Üç Eseri, Erzurum: Atatürk Üniversitesi, 2009.
17. Atai, vepra e cekur, II/1855; Süreya, vepra e cekur, IV/1315;
Bagdadi, vepra e cekur, I/797
18. Bursal?, Mehmet Tahir, Osmanl? Müellifleri, përgatiti A. Fikri

Mr. Samir Zullufi
Dituria Islame 381 /islamgjakova