Opozitarët sirianë po përgatiten kundër mundësisë së operacionit në Idlib

Opozitarët ushtarakë në qytetin Idlib të Sirisë po vazhdojnë përgatitjet për mbrojtje kundër mundësisë së operacionit nga regjimi i Bashar al Asadit, raporton Anadolu Agency (AA).

Forcat e regjimit të Asadit, përkundër zotimeve të dhëna nga garantuesi, Rusia, gjatë dy muajve të fundit po grumbullohen në Idlib. Kundër kësaj, edhe opozitarët ushtarakë po formojnë linja të reja me qëllim të forcimit të pozicioneve të tyre të mbrojtjes.

Opozitarët të cilët kanë formuar linjën e mbrojtjes e cila rrethon zonën rurale të Idlibit dhe Fushën Gab të qytetit Hama në jug, në këto rajone po dërgojnë një numër të madh të forcave shtesë dhe po hapin tunele.

Komandanti i Frontit Çlirimtar Kombëtar, një prej komponentëve të Ushtrisë së Lirë Siriane (ULS), Samir el Nur për AA tha se po vazhdojnë përgatitjet për zmbrapsjen e forcave të regjimit, që po e kërcënojnë vazhdimisht rajonin.

“Ndodhemi në zonën rurale të Idlibit dhe Hamas. Iu themi atyre (forcave të regjimit): ‘Nëse avanconi ky vend do të jetë varri i juaj’. I kemi bërë të gjitha përgatitjet dhe po vazhdojmë t’i bëjmë”, tha ai.

Edhe një komandant tjetër i ULS-së, Ibrahim Ebu Sham, tha se regjimi i Asadit po realizon një luftë psikologjike nëpërmjet mediave.

“Regjimi po e shkruan pretendimin për një operacion në Idlib. Ne në përgjithësi po i vazhdojmë përgatitjet në rajonet tona. Në mënyrë të veçantë po përgatitemi në Fushën Gab, në zonën rurale të Hamas. Jemi këtu për të parandaluar çfarë do lloj të sulmi. Kur të vij regjimi dhe përkrahësit e tij, ata i presin surprizat e mëdha”, theksoi Ebu Sham.

Duke theksuar se regjimi po vazhdon grumbullimin në Hama, Ebu Sham tha se, “Po e ndjekim nga afër, me një kujdes të madh, grumbullimin e realizuar në aeroportin ushtarak Kurin. Media e regjimit vazhdimisht po bën propagandë”.