Optimist, Pesimist apo Realist Ambicioz!?

Vehbi Zeqiri

Optimizmi dhe pesimizmi janë pikëpamje apo qasje ndaj ndonjë çështjeje të caktuar apo jetës në përgjithësi. Por a ka edhe diçka tjetër, apo qasje tjetër që është më e suksesshme?

Gjithmonë është thënë që qasja pozitive apo optimiste është më e preferuar sepse fokusohet më shumë në situata të favorshme, gjendje emocionale pozitive, raporte më të mira shoqërore, zgjidhje të problemeve, këmbëngulje dhe qëndrueshmëri, etj. pavarësisht sfidave dhe pengesave tjera jetësore.

Përderisa pesimizmi nga ana tjetër, ka tendenca të paraqes qasje negative për çështjet dhe jetën në përgjithësi. Perspektiva negative, humbja e shpresës dhe vetëbesimit, stresi dhe ankthi i shtuar, fokusi tek problemet e jo tek zgjidhjet, si dhe raportet shoqërore jo të favorshme, e karakterizojnë pesimizmin.

Nuk ka dyshim që shumë prej nesh për shumë çështje mund të kemi një përqindje të lartë të optimizmit, por një përqindje e pesimizmit është gati evidente çdoherë dhe e pa shmangshme, varësisht prej eksperiencave tona të mëhershme, rrethit ku jetojmë, dhe njohurive që kemi.

Kjo përqindje ndryshon në situata, kontekste, dhe fazat të çështjeve, projekteve, apo jetës në përgjithësi. Pra, njerëzit e matur dhe me përvojë gjithmonë do të kenë një dozë të vogël të pesimizmit gjatë realizimit të qëllimeve të tyre.

Përvoja jetësore na ka mësuar se optimizmi i tepruar apo joreal, mund të ketë pasoja!

Tej-vlerësimi i aftësive personale, pritshmëritë jo reale, injorimi i sfidave që mund të paraqiten, dhe rreziqet tjera, mund të rrisin dëshpërimin, humbin vetëbesimin, dhe shumë lehtë e  gjithë çështja mund të kaloj në pesimizëm dhe dëshpërim.

Është shumë e rëndësishme të qëndrojmë realist por me një dozë të lartë ambicieje, sepse të gjithë ne kemi potencial të zhvillimit më të lartë se sa që jemi të vetëdijshëm!

Kështu, realisti ambicioz[i], i ka të qarta qëllimet dhe realitetin që e rrethon, prandaj mban me sukses balancën mes optimizmit dhe kujdesit të shtuar ndaj çështjeve dhe jetës duke qenë i vetëdijshëm për realitetin, por të njëjtën kohë edhe duke vendosur qëllime të larta për vete, familje, karrierë, dhe jetë.

Pra, të jesh një realist por me ambicie, siguron një kombinim të fuqishëm që do t’ju ndihmoj të ‘notoni’ lirshëm nëpër sfidat jetësore. Uroj që të gjithë ata të cilët synojnë zhvillimin dhe avancimin personal, ta pranojnë dhe praktikojnë këtë kombinim të fuqishëm!

Vehbi Zeqiri

Për më shumë se 30 vite në pozita udhëheqëse

[i] realist ambicioz – është një titullim/qasje ime personal e dalë nga përvoja jetësore, karriera e gjatë, dhe sprovat tjera gjatë rrugëtimit tim në fusha dhe faza të ndryshme të jetës.