Optimizëm i madh në prag të vendimit për viza nga PE

Komiteti i Bashkimit Evropian për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme (LIBE) sot pritet që të diskutojë çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën ndërsa nesër të merret vendimi.

Profesori i të Drejtës Evropiane, Emrush Ujkani pret vendim pozitiv për vizat nga Parlamenti Evropian.

Ai për Indeksonline ka thënë se takimi i sotëm është tejet i rëndësishëm për Kosovën.

“Takimi i Komitetit LIBE është tejet i rëndësishëm sepse e para është pjesë e rregullt e procedurës vendimmarrëse dhe e dyta është hap i cili i paraprinë vendimmarrjes përfundimtare në seancë të rregullt të Parlamentit Evropian. Unë pres që vendimi të jetë pozitive dhe si i tillë të paraprijë edhe vendimit final pozitiv që do e marr Parlamenti Evropian”, ka thënë ai.

Ndërsa, Ministrja e Integrimit Evropian në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha, ka udhëtuar për në Bruksel, ku pritet të zhvillojë takime me zyrtarët e BE-së në lidhje me përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave.

Ajo është deklaruar se pret lajme të mira që çështja e vizave për Kosovën të miratohet dhe të kalojë ky proces e të kaloj në hapin e radhës që është miratimi në seancën plenare të Parlamentit Evropian.

Takimi i sotëm i paraprinë votimit të Komitetit që mbahet nesër në orën 9:00 në Bruksel.