Osmani falënderon Pendarovskin për votën pro anëtarësimit të Kosovës në KiE

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka falënderuar homologun e saj nga Maqedonia e Veriut, Stevo Pendarovski për votimin pro anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Në një konferencë të përbashkët për media pas takimit, Osmani theksoi se bashkëpunimi i ngushtë me Maqedoninë e Veriut dhe angazhimi i përbashkët drejt institucioneve euroatlantike është thelbësor për më shumë paqe e më shumë stabilitet, përcjell teve1.info

“Dy vendet tona do të vazhdojnë të ecin krah për krah, njëra tjetrës. Kosova dhe Maqedonia e Veriut nuk janë vetëm shtete gjeografikisht afër njëra tjetrës, por mbi të gjitha janë shtete që ndajnë vizionin e njëjtë për të ardhmen. Jam e sigurt që bashkëpunimi ndërmjet dy shteteve dhe popujve tanë ka akoma potencial për tu zgjeruar dhe besoj se kjo vizitë, takimi ynë i sotëm dhe takimet e tjera që do t’i kemi me institucionet, sinjalizon pikërisht përkushimin tonë të përbashkët për të punuar në zgjerimin e këtij potenciali”, deklaroi Osmani.

Presidentja Osmani po ashtu potencoi se në rajon ka akoma shumë sfida dhe tendencë për destabilizim, por që siç tha ajo, “nuk duhet të lejojmë që të fitojnë”.

“Ashtu siç diskutuam edhe në takim, shtetet tona mbesin të palëkundura në përkushtimin për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm e afatgjatë në rajon. Megjithatë në rajonin tonë ka akoma shumë sfida, ka edhe tendenca për destabilizim të cilat nuk duhet të lejojmë që të fitojnë. Gjithsesi, Kosova vazhdon të koordinohet fuqishëm në këtë përpjekje, me aleatë e partnerë, në mesin e të cilëve bën pjesë edhe Maqedonia e Veriut, me qëllim stabilitetin afatgjatë”, shtoi Osmani.

Osmani po qëndron në një vizitë zyrtare në Maqedoni të Veriut, ku do të takohet po ashtu me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferin, e pastaj pritet t’i drejtohet me një fjalim deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

Me këtë rast, ajo do të marrë pjesë edhe në përurimin e një rruge me emrin e Presidentit, Ibrahim Rugova në komunën e Çairit.