Osmani: Kapërcimi i gjuhës së urrejtjes kërkon kohë

Kapërcimi i gjuhës së urrejtjes është një proces i gjatë dhe mënyra për ta tejkaluar është komunikimi, deklaroi ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun e tij bullgar, Nikolai Milkov, pas hapjes së një forumi bilateral për biznesin, në Sofje.

Sipas Osmanit, kontaktet e shpeshta me ministrin e Jashtëm bullgar ndihmojnë në krijimin e një axhende pozitive për të mos i lënë hapësirë dikujt tjetër që të imponojë një axhendë keqdashëse.

“Nëse ju lini një boshllëk, dikush tjetër është i detyruar ta mbushë atë. Forumi i sotëm i biznesit ka të bëjë pikërisht me këtë, me mbushjen e një boshllëku të rëndësishëm në marrëdhënien tonë. Sigurisht, ne nuk mund të anashkalojmë faktin që muajt e fundit janë parë provokime, tentativa për të rrëmbyer axhendën nga të dyja palët, nga deklarata irredentiste të politikanëve në Bullgari, dhe sulme ndaj klubeve të komuniteteve bullgare në Maqedoninë e Veriut”, tha Osmani.

“Do të ketë probleme, do të ketë provokime, dhe prandaj jemi këtu, ta mbushim atë boshllëk që gradualisht të hyjmë në një komunikim normal, sepse jemi dy vende mike me një potencial të madh. Nuk mund të përjashtoj provokime të mëtejshme, por ajo që ka rëndësi është përgjigja ndaj këtyre provokimeve”, tha ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, duke shtuar se ministria e tij ka krijuar një grup pune që mbulon një sërë fushash përfshirë monitorimin e gjuhës së urrejtjes.

“Ministria e Jashtme bullgare gjithashtu ka një mekanizëm për gjuhën e urrejtjes, i cili është shumë i shpejtë në shkëmbimin e informacionit ndërmjet dy ministrive”, tha Milkov.

“Ne, padyshim kemi konflikte historike të pazgjidhura, çështje të pazgjidhura historike të cilat projektohen në të tashmen dhe është e rëndësishme të mos lejojmë që ato të përcaktojnë të ardhmen tonë”, tha kryediplomati bullgar.