Osmani nga Shqipëria: Anëtarësimi i Kosovës në NATO, garanci për paqe të rajonit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Kosova është e përkushtuar të fuqizojë pozicionin e saj ndërkombëtar, duke shtyrë tutje synimin për njohje të reja dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Në takim me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, Osmani u shpreh në Tiranë të hënën se anëtarësimi i Kosovës në NATO është synim afatgjatë, e përfshirja në Programin e Partneritetit për Paqe është garanci për paqe e siguri.

“Anëtarësimi i Kosovës në NATO si synim afatgjatë dhe përfshirja sa më parë në Programin e Partneritetit për Paqe te NATO-s janë garanci për paqe dhe siguri në rajon dhe kontinentin tonë. Fakti që Shqipëria tashmë është anëtare e NATO-s krijon siguri më të madhe në gjithë rajonin tonë e në veçanti në Kosovë”, ka deklaruar presidentja Osmani, ka njoftuar Zyra e Presidencës nëpërmjet një komunikate.

Sipas Osmanit, Kosova e Shqipëria kanë nevojë për rritje të koordinimit në politikën e jashtme, në “raport me interesat e të dy shteteve”.

“Kosova dhe Shqipëria kanë një lidhje unike historike, kulturore dhe kombëtare, lidhje kjo e fortë dhe e pathyeshme. Përballë sfidave, ne duhet të qëndrojmë të bashkuar, duke u fokusuar në qëllimin tonë madhor: integrimin e shteteve tona në familjen euroatlantike”, ka theksuar ajo.