Osmani: Përgjegjës për ndalimin e autobusëve në Serbi është Vuçiqi

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se përgjegjës për ndalimin e autobusëve me udhëtarë nga Kosova në Serbi është presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

Sipas saj, Serbia po hakmerret ndaj qytetarëve të Kosovës për votimin e së martës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

“Serbia po hakmerret ndaj qytetarëve të Kosovës, një ditë pas votimit të KiE-së në APKiE, duke mbajtur pengje në pikat kufitare, duke i frikësuar, konfiskuar dokumente dhe duke i privuar nga ushqimi. Përgjegjës për këtë është një njeri: Vuçiqi”, ka shkruar ajo në platformën X.

Osmani më tej u ka bërë thirrje partnerëve ndërkombëtarë për veprim të shpejtë.

Autoritetet kosovare kanë njoftuar të mërkurën se Serbia ka ndaluar autobusë me udhëtarë nga Kosova në kufijtë me Kroacinë dhe Hungarinë. Kjo ndodhi vetëm një ditë pas votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës pro anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.