Pa gola në pjesën e parë të ndeshjes në Zuerich, Muriq ndal dy goditje

Nuk janë shënuar gola në pjesën e parë të ndeshjes miqësore mes Zvicrës dhe Kosovës që po zhvillohet në Zuerich. Kosova ka pasur përkrahje të madhe nga tribunat, ndërsa ndeshja ishte e hapur e me raste shënimi.

Në fazën finale të pjesës së parë portieri i Kosovës, Aro Muriq priti dy goditje nga distanca. Fillimisht në minutën e 39-të provoi Steven Zuber. Ndërsa në minutën e 43-të goditi fuqishëm Xherdan Shaqiri. Por në të dy rastet Muriq ishte në vend.

Shaqiri provoi edhe në minutën e dhjetë nga goditja e dënimit, por jo rrezikshëm. Ndërkohë Amir Rrahmani provoi me kokë në minutën e 13-të.

Mario Gavranoviq i Zvicrës provoi në minutën e 22-të, por ishte shumë i pasaktë. Ndërsa rastin më të mirë për Kosovën e kishte Valon Berisha. Ai goditi saktë me kokë në minutën e 36-të, por portieri i Zvicrës ishte në vend.