Pacolli takon Weah – Liberia do të hapë Ambasadë në Kosovë

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli ka takuar sot presidentin e Liberisë, George Weah.

Në këtë takim ata kanë rënë dakord që Liberia të hapë Ambasadën në Prishtinë  që bashkëpunimi ndërshtetëror të ngrihet në nivel më të lartë, përcjell Klan Kosova.

“Presidenti Weah theksoi qartë se Liberia si njëri ndër shtetet e para që e ka njohur Kosovën do të jetë fuqishëm në mbështetje të anëtarësimit të vendit tonë në organizata të rëndësishme botërore”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

“Weah, i cili ka qenë dikur edhe fitues i Topit të artë të Evropës sa ka qenë lojtar i Milanit, u shpreh i gatshëm që bashkë me ekipin kombëtar të Liberisë të zhvillojë një ndeshje miqësore me përfaqësuesen e Kosovës në futboll”.

“Presidenti Weah i cili është edhe mik i vjetër i imi, pranoi me kënaqësi ftesën për të vizituar Republikën e Kosovës”.