Konsolidim si fuqi rajonale dhe globale me një rrjet lidhjesh në Lindjen e Mesme, Azi dhe Afrikë
İhsan Aktaş, Daily Sabah
Pakëti i Mekës, i arritur mes Turqisë, Pakistanit dhe Arabisë Saudite, tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare dhe nxiti interpretime të ndryshme.
A ishte një marrëveshje kundër Izraelit, kundër Iranit, apo një përpjekje për të forcuar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes? Këto pyetje duhen parë në kontekstin e ndryshimeve të thella që po përjeton rendi botëror.
Rendi neoliberal i krijuar pas përfundimit të Luftës së Ftohtë nuk arriti të ndërtonte një sistem të ri dhe të qëndrueshëm ndërkombëtar.
Ndërsa bota po shndërrohet në një sistem multipolar, shtetet po përballen me rreziqe të shtuara të sigurisë dhe po kërkojnë partneritete të reja strategjike.
Në këtë realitet, Turqia, Pakistani dhe Arabia Saudite po përpiqen të ndërtojnë mekanizma bashkëpunimi që u përgjigjen sfidave të reja.
Për shkak të pozicionit gjeopolitik dhe trashëgimisë historike, Turqia nuk e kufizon politikën e saj të jashtme në një rajon të vetëm. Ajo kërkon të ruajë dhe të zgjerojë ndikimin e saj në disa fronte njëherësh.
Një zhvillim i rëndësishëm në këtë drejtim ishte vendimi unanim i parlamentit të Libisë për të ratifikuar marrëveshjen detare për Zonën Ekonomike Ekskluzive me Turqinë, të nënshkruar në vitin 2019, duke anuluar qëndrimin e mëparshëm kundërshtues të vitit 2020.
Reagimi i Bashkimit Evropian ndaj këtij vendimi, përbën një tejkalim të rolit të tij, pasi bëhet fjalë për një marrëveshje mes dy shteteve sovrane.
Disa udhëheqës evropianë vazhdojnë të sillen sikur vendet e tyre të ruanin fuqinë dhe autoritetin e epokës koloniale, duke e pasur të vështirë të pranojnë vendimet e shteteve që ndjekin interesa të pavarura.
Ndërsa diskutohej mundësia e zgjerimit të paktit të Mekës me vende si Egjipti, Siria dhe Indonezia, u shfaq një nismë e re.
Turqia, Pakistani, Katari dhe Indonezia nënshkruan një marrëveshje që synon bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes, por që, sipas autorit, përfaqëson edhe një model më të gjerë partneriteti në fushën e sigurisë dhe ekonomisë.
Ky bashkëpunim ndryshon nga pakti i Mekës, por dëshmon se Turqia nuk synon t’i përqendrojë të gjitha marrëdhëniet e saj strategjike në një aleancë të vetme.
Përkundrazi, ajo po ndërton rrjete të ndryshme bashkëpunimi, të përshtatura sipas interesave dhe nevojave të çdo rajoni.
Secili prej vendeve pjesëmarrëse sjell kapacitete të veçanta. Pakistani është një fuqi bërthamore me një ushtri të fortë, e cila përbën një nga shtyllat kryesore të shtetit.
Indonezia, me popullsinë e saj të madhe dhe pozicionin strategjik në Azi, po kërkon garanci të reja sigurie në një mjedis ndërkombëtar gjithnjë e më të pasigurt.
Nga ana tjetër, Katari është shndërruar në një qendër të rëndësishme financiare dhe investimesh, si dhe në një aktor me peshë në diplomacinë ndërkombëtare.
Kur u përball me presionin e fqinjëve të tij të Gjirit, Turqia i qëndroi pranë. Sot, marrëdhëniet rajonale kanë ndryshuar ndjeshëm.
Shtetet që dikur ishin rivalë, përfshirë Arabinë Saudite dhe Katarin, po gjejnë gjithnjë e më shumë pika të përbashkëta bashkëpunimi me Ankaranë.
Shembulli i Turqisë tregon se një shtet nuk ka nevojë t’i mbledhë të gjitha aleancat nën të njëjtën çati. Ankaraja mund të bashkëpunojë me Libinë, Egjiptin dhe Somalinë në Afrikë, me Pakistanin dhe Indonezinë në Azi, si dhe me Katarin dhe Arabinë Saudite në Gjirin Persik.
Këto partneritete mund të funksionojnë paralelisht dhe të përforcojnë njëri-tjetrin. Ndryshimet në Siri ilustrojnë këtë prirje. Arabia Saudite dhe Katari, të cilat dikur konkurronin për ndikim dhe investime në vend, sot bashkëpunojnë me Turqinë për rindërtimin e tij.
Ngjashëm, Egjipti dhe Turqia, që rreth dhjetë vjet më parë mbështesnin qëndrime të kundërta në konfliktin libian, tani po afrohen në çështje që lidhen me integritetin territorial të Libisë.
Edhe zhvillimet në Sudan pasqyrojnë ndryshimin e interesave dhe të marrëdhënieve rajonale. Kjo strategji shtrihet përtej Lindjes së Mesme.
Turqia po kërkon partneritete në Kaukaz, Ballkan, Afrikë dhe Lindjen e Largët, ndërsa edhe vende perëndimore po shqyrtojnë mundësi të reja bashkëpunimi. Kanadaja është shembulli i një vendi që po kërkon marrëdhënie alternative përtej varësisë tradicionale nga Shtetet e Bashkuara.
Sipas tij, ky proces pritet të intensifikohet, ndërsa rendi ndërkombëtar bëhet gjithnjë e më shumë multipolar dhe shtetet përpiqen të diversifikojnë partneritetet e tyre.
Turqia ka hyrë në një fazë të re të politikës së jashtme. Pozicioni i saj gjeopolitik, historia, fuqia ushtarake dhe zhvillimi i industrisë së mbrojtjes i japin mundësinë të mos jetë thjesht pjesë e aleancave ekzistuese, por edhe të krijojë dhe të koordinojë rrjete të reja partneritetesh.
Ambicia e Ankarasë, është të shndërrohet në një qendër fuqie që lidh rajone të ndryshme dhe ruan hapësirë veprimi mes interesave të aktorëve të mëdhenj ndërkombëtarë. /tesheshi





