Palestinë, një fëmijë rrëzohet për vdekje nga një lartësirë duke ikur nga forcat izraelite – VIDEO

Një fëmijë palestinez 7-vjeçar vdiq teksa po ndiqej nga forcat izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministria e Shëndetësisë e Palestinës përmes një deklarate njoftoi se Rayyan Suleiman nga qyteti Tuqu afër qytetit të Betlehemit, u rrëzuar nga një lartësi teksa ikte nga ushtarët izraelitë.

Mjekët nuk kishin arritur t’i shpëtonin jetën dhe ai u shpall i vdekur menjëherë pasi u shtrua në spitalin Beit Jala, thuhet në deklaratë.

Ushtria izraelite, nga ana e saj, mohoi çdo lidhje me vdekjen e fëmijës.

Në një deklaratë, ushtria tha se forcat izraelite vrapuan në qytetin Tuqu për të kërkuar persona që hedhnin gurë, duke thënë se nuk pati përleshje gjatë kontrolleve dhe nuk u përdorën armë apo metoda të shpërndarjes së trazirave.

Dje, katër palestinezë u vranë dhe dhjetëra u plagosën nga të shtënat e ushtrisë izraelite gjatë përleshjeve në qytetin Jenin të Bregut Perëndimor.

Forcat izraelite bastisin një shkollë fillore në Bregun Perëndimor

Ndërkohë, bëhet e ditur se ushtarët izraelitë bastisën dhe goditën mësuesit dhe nxënësit një shkollë fillore në qytetin Al-Khalil në Bregun Perëndimor nën pushtim.

Sipas informacioneve nga dëshmitarët, një njësi e përbërë nga ushtarë izraelitë bastisën shkollën Al-Haciriyye në zonën e qytetit të vjetër në Al-Khalil.

Theksohet se ushtarët kanë marrë me forcë dy nxënës dhe i kanë mbajtur të ndaluar për orë të tëra.

Është shkaktuar një reagim i madh pasi në edhe në pamjet e shpërndara në median sociale, vërehet se ushtarët izraelitë spërkasin me gaz piper disa prej nxënësve dhe mësuesve që përpiqeshin të pengonin hyrjen e tyre nëpër klasa dhe të bastisin shkollën. /aa