Palestinezët dënojnë hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem

Palestinezët dënuan hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem, duke e cilësuar si “shkelje të ligjit ndërkombëtar”.

Nabil Abu Rudeineh, zëdhënës i presidentit të Autoritetit Palestinez, Mahmud Abbas, i bëri komentet një ditë pasi Kosova hapi zyrtarisht Ambasadën në Jerusalem, në këmbim të njohjes së pavarësisë së saj nga Izraeli.

Turqia po ashtu e kritikoi hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem, ndërsa zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Jordanisë, Dhaifallah Ali Al-Fayez, tha se çdo veprim për ta njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit është “i pavlefshëm… dhe nuk ka asnjë efekt ligjor”.

Një zëdhënës i Bashkimit Evropian tha të hënën se blloku “shpreh keqardhje për vendimin e Kosovës që të largohet nga qëndrimi i BE-së, lidhur me çështjen e Jerusalemit”.

BE-ja e konsideron statusin e Jerusalemit si çështje rreth së cilës ka mospajtime mes shtetit të Izraelit dhe autoriteteve palestineze.

Qëkur Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur ta njohin Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit në vitin 2017 dhe në bazë të këtij vendimi ta bartin edhe ambasadën në Jerusalem, nga BE-ja asnjë shtet nuk e ka ndjekur një hap të tillë.

Këtë muaj, Çekia ka hapur një zyrë diplomatike në Jerusalem, por ambasadën e ka në Tel Aviv.

BE-ja pret që edhe nga shtetet kandidate, të cilat janë në procesin e anëtarësimit në BE, t’i përshtatin qëndrimet e veta me politikën e jashtme të BE-së.

Reagimet vijnë një ditë pasi Kosova njoftoi se edhe zyrtarisht ka hapur Ambasadën e saj në Izrael, me lokacion në Jerusalem.

Hapja e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem derivon nga Marrëveshja e 4 shtatorit, 2020 në Uashington për normalizim ekonomik.

Në këtë marrëveshje, që u ndërmjetësua nga presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u përfshi edhe njohja e Kosovës nga Izraeli dhe u tha se Ambasada e Kosovës do të vendosej në Jerusalem. BE-ja që atëherë e kishte kritikuar vendosjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem, duke e cilësuar si largim nga qëndrimet e BE-së, pasi sipas bllokut, kjo është në kundërshtim me aspiratat e Prishtinës zyrtare për integrim në BE.