Papa Françesku: Prishja e pauzës humanitare në Gaza është trishtuese

Udhëheqësi shpirtëror i katolikëve dhe presidenti i Vatikanit, Papa Françesku në mesazhin e tij të lutjes të së dielës tha se “Situata në Izrael dhe Palestinë është serioze ndërsa prishja e pauzës humanitare është trishtuese”, transmeton Anadolu.

Lutjen e tij Angelus që mban të dielave nga dritarja e zyrës së tij me pamje nga sheshi i Shën Pjetrit, Papa ashtu si edhe javën e kaluar, për shkak të sëmundjes së tij e zhvilloi përballë kamerave në rezidencën e tij me ndihmën e një zyrtari.

“Edhe sot nuk do të mund ta lexoj të gjithën. Po shërohem por zëri im vazhdon të mos më lejojë”, tha Papa ku më pas mesazhin e tij e lexoi Imzot Paolo Braida.

“Situata në Izrael dhe Palestinë është serioze. Prishja e pauzës humanitare është trishtuese. Kjo do të thotë vdekje, shkatërrim dhe mjerim. Janë liruar shumë pengje por ende shumë prej tyre janë në Gaza. Mendojmë që ata të bashkohen sërish me të dashurit e tyre. Në Gaza ka shumë dhimbje, ka mungesë në nevojat bazë. Shpresoj që të gjithë personat përkatës të çështjes të arrijnë sa më parë marrëveshje të re armëpushimi, duke prodhuar zgjidhje me përjashtim të armëve dhe të provojnë rrugët e guximshme që shkojnë drejt paqes”, tha ai.

Kreu i Vatikanit, Papa vuri në dukje se ndjek Konferencën e 28-të të OKB-së për Ndryshimet Klimatike në Dubai, në të cilën nuk ka mundur të marrë pjesë për shkak të sëmundjes së tij dhe se ndaj ndryshimit të klimës duhet të jepet përgjigje me ndryshime konkrete politike.

Papa më 25 nëntor iu nënshtrua një kontrolli në spitalin Gemelli në Romë për shkak të shqetësimit që kishte.