Kreu i shtetit të Vatikanit, Papa Leoni bëri thirrje për armëpushim 24-orësh në të gjithë botën, veçanërisht në konfliktin Rusi-Ukrainë, për të festuar Krishtlindjet, transmeton Anadolu.
Papa dje në mbrëmje iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve të cilët e prisnin gjatë largimit nga rezidenca e tij në Castel Gandolfo, pranë Romës ku kalon pushimin e tij javor për t’u kthyer në Vatikan.
Kur u pyet nëse kishte ndonjë mesazh për të dhënë para Krishtlindjeve, festimit të lindjes së Jezusit, Papa Leoni tha “Një nga gjërat që më trishton vërtet është refuzimi i Rusisë për të respektuar një armëpushim për Krishtlindje. U bëj thirrje edhe njëherë të gjithë njerëzve me vullnet të mirë: të paktën në këtë ditë që festohet lindja e Jezusit, le të ketë armëpushim 24-orësh në Ukrainë dhe në të gjithë botën”.
Lidhur me situatën në Lindjen e Mesme, veçanërisht në Gaza, Papa kujtoi se kardinali Pierbatista Pizzaballa, patriarku latin i Kudsit, ka vizituar së fundmi Gazën dhe se ai vetë ka biseduar në telefon rreth një orë më parë me atin Gabriel Romanelli të Kishës së Familjes së Shenjtë në qytetin e Gazës.
Duke iu referuar armëpushimit dhe planit të paqes që hyri në fuqi në Gaza në tetor, Papa tha: “Ata ende po përpiqen të festojnë një festë në mes të një situate ende shumë të brishtë. Shpresojmë që marrëveshja e paqes do të shënojë përparim”.




