Kreu i Kishës Katolike dhe i Vatikanit, Papa Leoni XIV përsëriti të hënën detyrën e medias për të treguar realitetin e luftës nga një perspektivë njerëzore në mënyrë që ajo të mos shndërrohet në një “video lojë”, transmeton Anadolu.
Duke iu drejtuar gazetarëve italianë, ai theksoi se puna e medias është “të tregojë vuajtjet që lufta u sjell gjithmonë popullatave, të tregojë fytyrën e luftës dhe ta tregojë atë përmes syve të viktimave në mënyrë që ajo të mos shndërrohet në një video lojë (video game)”, sipas Vatican News.
“Gjithmonë, por veçanërisht në rrethanat dramatike të luftës si ato që po përjetojmë, informacioni duhet të ruhet nga rreziku i shndërrimit në propagandë”, tha Papa.
Ai nënvizoi se detyra e gazetarëve për të verifikuar lajmet në kohë konflikti “në mënyrë që të mos bëhen një megafon për pushtetin, bëhet edhe më urgjente dhe delikate dhe në të vërtetë, thelbësore”.
Papa thekson rëndësinë e transparencës në media, duke dekurajuar përpjekjet për të konfirmuar vetëm perspektivën e dikujt. “Të gjithë e dimë sa e vështirë është të na lënë të habitemi nga faktet, takimet, perspektivat dhe zërat e të tjerëve. Sa i fortë është tundimi për të kërkuar, parë dhe dëgjuar vetëm atë që konfirmon mendimet tona”, shtoi ai.





