Paraja elektronike, regjistrohen thuajse 7 milionë pagesa

Përdorimi i parasë elektronike sjell lehtësira kryesisht për atë pjesë të popullsisë shqiptare që nuk zotëron një llogari bankare.

Pagesa përmes parasë elektronike ka gjetur një zgjerim të fortë gjatë vitit 2023. Në gjysmën e parë të vitin janë regjistruar një numër rekord prej 6,908,509 transaksionesh me një vlerë prej rreth 48.8 miliardë lekësh apo afërisht 480 milionë eurosh.

Për të dalluar sa e fortë është rritja sjellim në vëmendje se viti 2022 ishte mbyllur me një numër prej 10,216,680 për një total prej 45,3 miliardë lekësh apo 450 milionë eurosh. Për të gjithë muajt e vitit 2023 janë kryer më shumë se 1 milionë pagesa me para elektornike, ndërkohë që niveli më i lartë është shënuar në maj me 1,236,798 transaksione. Në këtë shifër nuk janë marrë parasysh transaksionet për mbushjen, rimbushjen ose tërheqjen e vlerës së mbetur të parasë elektronike.

Viti 2023 e ka gjetur tregun financiar shqiptar me 9 institucione të parasë elektronike, nga 7 të tilla në fund të vitit 2021. Rritja e numrit të institucioneve të parasë elektronike ka ardhur edhe si efekt i miratimit të ligjit “Për shërbimet e pagesave”. Shtimi i institucioneve të parasë elektronike ka sjellë edhe një shtrirje më të gjerë të terminaleve që ato vënë në dispozicion të klientëve të tyre (si atyre fizikë dhe virtualë), konkretisht me një rritje të konsiderueshme prej 123.3% krahasuar me fundin e vitit 2021.

Përdorimi i parasë elektronike sjell lehtësira kryesisht për atë pjesë të popullsisë shqiptare që nuk zotëron një llogari bankare. Avantazhet për këtë pjesë të popullsisë konsistojnë në rritjen e fleksibilitetit për kryerjen e pagesave, duke llogaritur shtrirjen e gjerë të këtyre institucioneve në vend, por edhe në një kosto më të ulët për pagesat e kryera, sidomos për pagesat e gjobave, faturave utilitare mujore etj.

Transaksionet elektronike janë një formë pagese e ngjashme me pagesën me kartë bankare. Ndryshimi qëndron te fakti se pagesat nuk kryhen përmes kartave dhe POS-eve si në rastin e sektorit bankar, por nëpërmjet infrastrukturës së institucioneve të licencuara të parasë elektronike. /SCAN