Parlamenti i Gjermanisë votoi për zgjatjen e vendosjes së trupave gjermane në Kosovë edhe për një vit, raporton Anadolu.
505 ligjvënës, kryesisht nga qeveria e koalicionit qeveritar të kancelarit Olaf Scholz, votuan në favor të vendosjes së personelit ushtarak në forcën paqeruajtëse ndërkombëtare të udhëhequr nga NATO në Kosovë, KFOR.
Partia kryesore opozitare, Partia Kristian-Demokrate (CDU/CSU), gjithashtu mbështetën zgjatjen e periudhës, ndërsa 93 ligjvënës nga dy parti të tjera opozitare, Alternativa për Gjermaninë (AfD) e ekstremit të djathtë dhe Partia e Majtë socialiste, votuan kundër mocionit.
Mandati do t’i lejojë qeverisë gjermane të vendosë deri në 400 ushtarë në Kosovë deri në fund të qershorit 2024. Kostoja e dislokimit vlerësohet të jetë rreth 6,1 milionë euro.