Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Erdogan shpjegon botën

Erdogan shpjegon botën

None

Paralajmërimi i presidentit turk: Rendi i vjetër ndërkombëtar po shembet!

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, paralajmëroi të mërkurën se bota po përjeton një periudhë të thellë paqëndrueshmërie gjeopolitike, ndërsa rendi i vjetër ndërkombëtar po shembet dhe ende nuk dihet se çfarë do ta zëvendësojë atë.

Sipas tij, prapa skenës diplomatike po zhvillohet një garë për pushtet shumë më e ashpër dhe shkatërruese nga ajo që pasqyrohet në mediat ndërkombëtare.

“Jemi në mes të një procesi të trazuar, në të cilin askush nuk e di se çfarë do ta zëvendësojë rendin e vjetër botëror, ndërsa prapa skenës po zhvillohet një konkurrencë shumë më intensive dhe shkatërruese nga ajo që shohim në media”, deklaroi Erdogan gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), në Asamblenë e Madhe Kombëtare të Turqisë.

Si shembuj të kësaj paqëndrueshmërie, presidenti turk përmendi luftën mes Rusisë dhe Ukrainës, e cila ka shkaktuar humbje të rënda për të dyja palët, si dhe vendosjenn e aeroplanmbajtëseve amerikane në Gjirin Persik, ku tensionet janë rritur sërish.

Sipas tij, zhvillimet e fundit dëshmojnë se rivaliteti ndërmjet fuqive të mëdha po hyn në një fazë të re, pasojat e së cilës mbeten të paparashikueshme.

Një pjesë të rëndësishme të fjalimit Erdogan ia kushtoi situatës në Gaza, duke akuzuar Izraelin për vazhdimin e vrasjeve, atentateve, diskriminimit, izolimit dhe urisë së popullsisë palestineze. Ai paralajmëroi se afrimi i dimrit do t’i përkeqësojë edhe më shumë kushtet humanitare në enklavën palestineze.

Presidenti turk e cilësoi Gazën si “kampin më të madh të përqendrimit në botë”, duke tërhequr vëmendjen te fëmijët që po përballen me të ftohtin pa strehim të përshtatshëm, ndërsa detyrohen të ecin nëpër ujë dhe baltë.

Sipas tij, gjendja e popullsisë civile kërkon reagim të menjëhershëm ndërkombëtar, veçanërisht përpara se kushtet atmosferike ta bëjnë edhe më të vështirë mbijetesën.

Thirrje për botën muslimane

Erdogan u bëri thirrje vendeve muslimane të shtojnë presionin ndaj Izraelit dhe të intensifikojnë ndihmën humanitare për palestinezët.

Ai kritikoi qëndrimin pasiv të disa vendeve, duke argumentuar se bota muslimane nuk duhet të mbështetet vetëm te ndërhyrja e aktorëve të tjerë ndërkombëtarë.

“Në vend që të mbështetemi vetëm te të tjerët, duhet të veprojmë si muslimanë dhe të sigurohemi që presioni ndaj Izraelit të jetë më i madh”, deklaroi ai përpara deputetëve të partisë së tij.

Kreu i shtetit bëri të ditur se Turqia është e gatshme të dërgojë strehime të përkohshme me kontejnerë në Gaza dhe po ndërmerr hapa të tjerë për të zgjeruar ndihmën humanitare.

Ai theksoi se Ankaraja nuk do të heshtë përballë vuajtjeve të palestinezëve, edhe nëse vendet e tjera zgjedhin të mos reagojnë.

“Edhe nëse të tjerët mbyllin sytë dhe veshët, ne nuk do të heshtim përballë shtypjes në Gaza!”, u shpreh Erdogan. Në pjesën e fundit të fjalimit, presidenti turk iu rikthye historisë politike të AKP-së, e cila erdhi në pushtet pas fitores në zgjedhjet e 3 nëntorit 2002.

Ai e cilësoi atë rezultat si një pikë kthese për Turqinë, duke kujtuar se më 18 nëntor të po atij viti u zhvillua mbledhja e parë parlamentare e grupit të partisë, në të njëjtën ditë kur mori detyrën qeveria e 58-të e vendit.

Duke kujtuar fjalimin e tij të parë para deputetëve, Erdogan theksoi se mandati politik i partisë buronte nga qytetarët dhe jo nga privilegjet personale apo ambiciet individuale.

Ai tha se AKP-ja nuk është larguar nga parimet e saj themeluese gjatë 24 viteve në pushtet, pavarësisht ndryshimeve të mëdha në skenën politike.

“Ne nuk jemi larguar nga rruga që përcaktuam atë ditë dhe as nga parimet që shpallëm“, deklaroi ai. Sipas Erdogan, mbështetja që partia vazhdon të gëzojë në të 81 provincat e Turqisë, përbën një përgjegjësi jo vetëm ndaj popullsisë së vendit, por edhe ndaj miliona njerëzve që përballen me vështirësi në mbarë botën. \tesheshi