Pas ankesës së FFK-së, FIFA nis masa disiplinore ndaj Serbisë

Federata Botërore e Futbollit (FIFA) ka njoftuar të shtunën se ka nisur masa disiplinore ndaj Federatës Serbe të Futbollit për varjen e një flamuri me përmbajtje politike në raport me Kosovën në dhomat e zhveshjes përpara se të luante të enjten me Brazilin në Kupën e Botës në Katar.

Flamuri i Serbisë i vendosur në zhveshtore përfshinte hartën e Kosovës me sloganin “Nuk ka dorëzim”.

Në fotografitë e publikuara nga zhveshtorja shihej se flamuri ishte vendosur mbi dollapët e lojtarëve, Milos Veljkoviç dhe Andrija Zivkoviç, përpara humbjes 2 me 0 të përfaqësueses së Serbisë ndaj Brazilit.

Federata e Futbollit të Kosovës u ankua zyrtarisht në FIFA dhe ministri i kulturës, rinisë dhe sportit, Hajrulla Çeku, e përshkroi imazhin si veprim i përfaqësueses së Serbisë për të përdorur Kupën e Botës për të promovuar “mesazhe urrejtjeje, ksenofobie dhe gjenocidale”.

FIFA citoi një pjesë të kodit të saj disiplinor që mbulon sjelljen e pahijshme, duke përfshirë “gjestet, shenjat ose gjuhën fyese” dhe “përdorimin e një ngjarjeje sportive për demonstrime të një natyre josportive”, njofton ‘Radio Evropa e Lirë’.

FIFA nuk dha një afat kohor se kur do të merret vendimi, megjithëse Serbia do të luajë të hënën, më 28 nëntor kundër Kamerunit.

Më 25 nëntor, Federata e Futbollit e Kosovës njoftoi se ka paraqitur ankesë në FIFA për veprimin e ekipit kombëtar të Serbisë.

FFK e quajti këtë veprim si akt shovinist.

“Akte të tilla shoviniste nuk kanë vend në një ngjarje sportive, e aq më pak brenda objekteve ku zhvillohet ngjarja më e madhe e futbollit botëror, prandaj FFK si anëtare e barabartë me të gjithë anëtarët e tjerë të FIFA-s, kërkon nga ky institucion që të ndërmarrë masa sanksionuese ndaj veprimeve që nxisin urrejtje mes popujve dhe janë kundër vlerave njerëzore”, u tha në njoftimin e FFK-së.

Federata e Futbollit e Kosovës kërkoi nga FIFA që veprimi i ekipit serb në Katar të mos kalohet pa masha ndëshkimore, pasi siç u tha, kampionati botëror i futbollit “duhet të jetë vend i mbizotërimit të thirrjeve për paqe, e jo të përdoret për të nxitur urrejtje mes popujve.