PD dhe Partia Fjala urojnë Presidentin Erdoğan për fitoren

Partitë opozitare të Republikës së Kosovës, Partia e Drejtësisë (PD) dhe Partia Fjala, kanë uruar Presidentin e Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan për fitoren në referendumin e mbajtur sot, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim nga Partia e Drejtësisë thuhet se “Partia e Drejtësisë uron dhe përgëzon popullin dhe institucionet e Republikës së Turqisë për realizimin e suksesshëm të referendumit gjithë popullor që u mbajt sot në rrethana tejet të ndjeshme të kërcënimit të terrorizmit ndërkombëtar dhe vendor”.

“Kjo fitore e radhës e demokracisë në Republikën e Turqisë gëzon çdo anëtarë dhe mbështetës të PD-së sepse paraqet konsolidim të mëtutjeshëm të demokracisë në një shtet mik me rol të madh ndërkombëtar dhe rajonal me të cilin në mes të shumë vlerave të përbashkëta na bashkojnë edhe miliona bashkatdhetarë që jetojnë me dekada në Turqi dhe të cilët çdo ditë e me shumë po i rindërtojnë urat e bashkëpunimit me popullin dhe shtetin amë me mbështetjen e pakursyer politike të institucioneve të Republikës së Turqisë”, theksohet në urimin e PD-së.

Ndërsa, deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe kryetari i Partisë Fjala, Gëzim Kelmendi, po ashtu me një mesazh ka uruar Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, duke theksuar se “kjo është fitore për tërë vendet e rajonit dhe Erdogani është shembull e inspirimi për shumë popuj e politikanë të ndryshëm.”

“Ju keni forcuar Turqinë, keni ndihmuar vendin tonë në gjitha proceset dhe keni ndihmuar rajonin dhe shumë vende të tjera. Lufta juaj kundër terrorizmit dhe organizatave terroriste është model për shumë vende të tjera”, thuhet në mesazhin e Kelmendit.