Peja, foleja e medalisteve të arta nga Kosova

Me dy medalje të reja të arta olimpike në sportin e xhudos në Lojërat Olimpike “Tokio 2020” dhe një nga “Rio 2016”, Kosova, një vend i vogël i Ballkanit Perëndimor me më pak se dy milionë banorë, po arrin suksese të reja historike në arenën ndërkombëtare në sportin e xhudos.

Majlinda Kelmendi në “Rio 2016” u bë xhudistja e parë që i solli medalje të artë Kosovës në kategorinë 52 kilogramë tek femrat. Po kështu, pas pesë vjetësh, në “Tokio 2020” traditën në të njëjtin sport dhe me medalje të arta e vazhduan edhe xhudistet Distria Krasniqi në 48 kilogramë dhe Nora Gjakova në 57 kilogramë.

Për kreun e Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqin, suksesi i vajzave kosovare nuk është i rastësishëm, por vjen si rezultat i punës së vazhdueshme të trajnerit Driton Kuka.

Në një deklaratë për Anadolu Agency (AA), Krasniqi thotë se edhe pritshmëria e tyre në këto Lojëra Olimpike ka qenë më e madhe në xhudo, duke shpresuar së paku që ekipi të mos kthehej në shtëpi pa medalje.

“Pritshmëritë më të mëdha tonat para Lojërave Olimpike të ‘Tokio 2020’ ishin në xhudo, ku synonim të paktën të mos kthehemi pa medalje. Tani i kemi dy medalje dhe të dyja të arta. Këto suksese nuk janë të rastësishme, por vijnë si rezultat i punës ndër vite të mjeshtrit tonë ndërkombëtar, trajnerit Driton Kuka, i cili punon tash e 20 vjet me këta xhudistë, si dhe Federatës së Xhudos së Kosovës”, thotë ai.

Krasniqi thotë figurativisht se garueseve të xhudos në lojëra olimpike ua ka hapur dyert xhudistja e parë që fitoi medalje të artë Majlinda Kelmendi. Impakti i këtij suksesi, Krasniqi thotë se është dukshëm i madh, por, synojnë edhe më shumë në olimpiadën e ardhshme.

“Impakti është aq i madh sa që shumë e shumë vende tani Kosovën e njohin më shumë për shkak të sportit. Në ‘Tokio 2020’ këto ditë Kosova ishte temë dhe pyetje e shumë mediave se si një vend i vogël si Kosova ka fituar dy medalje të arta”, thekson Krasniqi.

Nga 8 gushti, kur përfundon Olimpiada në Japoni, ai thotë se do të nisin punën për “Paris 2024”, “ku synojmë të kemi më shumë sportistë dhe më shumë norma olimpike”.

– Klubi i Xhudos “IPPON” në Pejë, “kuzhina” ku u gatuan tri medalistet kosovare

Si medalja e varur lartë në qafën e fituesit edhe ndërtesa e klubit të xhudos “IPPON” në Pejë rri si kurorë mbi një shpat të lartë në periferi të qytetit.

Nga jashtë, “kuzhina” ku u gatuan tri medalistet kosovare në xhudo është e rrethuar me një ambient të gjelbër, ndërsa brenda, ajo përmbushë kushtet e nevojshme të stërvitjeve dhe gjithçka që u nevojitet rreth 400 xhudistëve të grupmoshave të ndryshme, që ushtrojnë këtu.

Sekretari i Federatës së Xhudos në Kosovë, Korab Morina, për AA thotë se në Klubin e Xhudos “IPPON” në Pejë, aty ku stërviten të tri medalistet e arta olimpike nga ky qytet, Majlida Kelmendi, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi, punohet shumë, me rreth 6 orë në ditë dhe rregullisht.

Ai thotë se aktualisht në këtë klub janë 400 xhudistë të rinj që stërviten, nga të cilët shumica janë meshkuj, ndërsa shton se fitoret në arenën ndërkombëtare të xhudisteve të këtij klubi, kanë rritur interesimin për t’u marrë me këtë sport tek të rinjtë.

“Këtu stërvitet çdo ditë kampionia olimpike e ‘Rio 2016’ Majlinda Kelmendi edhe dy kampionet e reja olimpike Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova në ‘TokIo 2020’. Duke i parë sukseset e këtyre xhudistëve në këtë klub, punën që bëhet, normalisht që gjeneratat e reja motivohen dhe kanë model shumë të mirë duke filluar nga Majlinda, tash edhe Nora dhe Distria, Loriana dhe Akili. Po presim edhe për xhudistë të rinj, që do t’i sjellin Kosovës rezultate të mëdha”, tha ai.

– Qytetarët e Pejës, entuziastët e zjarrtë për fitoret e bashkëvendësve të tyre

Xhavit Shala nga Peja i cili në rini është marrë me sportin e karatesë thotë se sekreti i suksesit të xhudisteve nga Peja, fshihet nga disa elemente të ndërthurura bashkë, si bjeshkët dhe natyra e favorshme e kësaj ane, ushqimi nga një tokë e mirë, por edhe puna e trajnerit të tyre.

“Si pikë e parë pejanët dhe rrethi i Pejës kanë qenë gjithmonë sportistë, pa marrë parasysh a në futboll, karate apo boks, ka pasur sportistë. Si pikë e dytë është ajri, ngase shikoni se ku ato jetojnë… Si pikë e tretë, ato e kanë trajnerin shumë të mirë, por ka edhe trajnerë tjerë të mirë në Pejë”, thotë Shala.

Edhe Kujtim Bardhi nga fshati Lubeniq i Pejës, thotë se sekreti qëndron tek natyra e qytetit të Pejës dhe burimet e saj e cila i kalitë biologjikisht ato duke i bërë më të forta.

Por, Bardhi thotë se xhudistet kosovare duhet të ndihmohen edhe më shumë nga ana e institucioneve vendore.

“Trajnerin e përcjellë në intervistat e tij, e përgëzoj shumë Driton Kukën. Është një sukses që edhe popujt me nga 100 milionë banorë nuk e kanë arritur, por është dëshira e vajzave dhe vullnet i një trajneri shumë profesional”, tha Bardhi.

Ndërkaq, Sami Kastrati, i cili merret me sporte të ndryshme, thotë se çelësi kryesor i suksesit të xhudisteve nga Peja në Lojëra Olimpike, është trajneri i tyre, Driton Kuka.

“Ai ka qenë vetë një xhudist, domethënë ka shumë vite që merret me këtë sport dhe ka motivim për këtë sport. Qysh nga fëmijëria e njoh. Kemi luajtur edhe futboll bashkë. Lus që të gjithë ta përkrahin atë, shteti ynë fillimisht, jo vetëm atë por edhe shumë sportistë të tjerë”, thotë Kastrati.

Komiteti Ndërkombëtar Olimpik e ka njohur Kosovën në vitin 2014, ndërsa ajo merr pjesë për të dytën herë në Olimpiadë.

Kosova po merr pjesë në “Tokio 2020” me 11 sportistë në sporte të ndryshme, por, përfaqësues të sportit nga ky vend, që nga fillimi kanë bërë të ditur se pika e fortë e ekipit kosovarë është sporti i xhudos.