Pelosi falënderon Kroacinë për ndihmën e Ukrainës

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, u takua në Zagreb me kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, Nancy Pelosi, në prag të Samitit të parë Parlamentar të Platformës së Krimesë, raporton Anadolu Agency (AA).

Plenkoviç pas takimit tha se u diskutuan dy tema kryesore, bashkëpunimi mes SHBA-së dhe Kroacisë në mbështetje të Ukrainës dhe marrëdhëniet ndërmjet SHBA-së dhe Kroacisë.

“Ne shprehëm kënaqësinë për trendin shumë pozitiv në marrëdhëniet tona. Kujtuam faktin se Kroacia hyri në programin e përjashtimit të vizave, dhe Kroacia është një nga vendet e para që hyn në ‘Programin e hyrjes globale’ (Global entry program)” tha Plenkoviç.

Plenkoviç tha se Kroacia vlerëson mbështetjen e SHBA-së kur bëhet fjalë për të kuptuar çështjen e barazisë së kroatëve si një komb përbërës i barabartë në Bosnje e Hercegovinë.

“Ne vlerësojmë gjithashtu mbështetjen e SHBA-së për qëllimet themelore të politikës së jashtme të Republikës së Kroacisë që gati se janë arritur, përkatësisht anëtarësimin në eurozonë dhe anëtarësimin në zonën Shengen”, tha Plenkoviç, duke shtuar se të dy hapat e bëjnë Kroacisë më të fortë, partner më elastik dhe më të besueshëm në politikën e jashtme, në BE dhe aleat në NATO.

Pelosi theksoi rëndësinë e ndihmës që Kroacia i dha Ukrainës, në formën e pranimit të refugjatëve, por edhe si mbështetje morale.

“Faleminderit Kroacisë për bashkëpunimin, është një vend shumë i vogël, i cili duhet pranuar që është shumë i rëndësishëm në aspektin e demokracisë, paqes dhe vlerave, dhe këto vlera dalin nga çdo fjali e thënë nga kryeministri. Përvoja që vendit tuaj kishte në aspektin e agresionit, deminimit dhe traumës, kjo përvojë mund të ndihmojë ukrainasit dhe të tjerët që janë viktima të agresionit rus. Faleminderit që jeni të gatshëm të ndihmoni në këtë drejtim”, tha Pelosi, duke shtuar se ajo do të vazhdojë bashkëpunimin për të ndihmuar Ukrainën.

Sipas saj, energjia është një mjet që përdoret në këtë luftë.

“Vendet janë të detyruara të diversifikojnë furnizimin e tyre me energji për shkak të kësaj lufte. Kroacia ishte një lider në këtë. Faleminderit për këtë”, tha Pelosi.

Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari për përdorimin e dronëve iranianë në luftën kundër Ukrainës, Plenkoviç e dënoi atë, duke thënë se “çdo mbështetje për agresionin që Rusia po kryen kundër Ukrainës është një veprim i keq”.

“Ne kundërshtojmë këdo që shkel ligjin ndërkombëtar”, tha Plenkoviç, duke shtuar se agresioni rus paraqet pikërisht këtë. Mendim të ngjashëm kishte edhe Pelosi.

“Unë mendoj se Irani po bën një gabim të madh”, tha Pelosi, duke theksuar se janë përpjekur të nënshkruajnë një marrëveshje bërthamore me Iranin për disa kohë, ndërsa tani Irani po ndihmon Rusinë.