Për tetë vjet në Siri janë vrarë 1.100 punonjës humanitarë

Gjatë tetë viteve të luftës në Siri, jetën e kanë humbur mbi 1.100 punonjës humanitarë, flasin të dhënat e Rrjetit Sirian për të Drejtat e Njeriut në Siri (SNHR), transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç bëhet e ditur në publikimin e SNHR-së, në zonat ku veprojnë organizatat humanitare, janë vrarë punonjës të tyre të cilët kanë qenë të angazhuar të ndihmojnë civilët në zonat e luftës.

Vetëm nga sulmet e forcave të presidentit sirian Bashar al-Assad, janë vrarë mbi 870 punonjës humanitarë.

SNHR tha gjithashtu se mbi 3.980 punonjës humanitarë janë marrë peng, duke theksuar se që nga dita e parë e luftës, punonjësit e tyre kanë qenë në shënjestër.

“Që nga marsi i vitit 2011 dhe deri më sot, forcat e regjimit kanë marrë për pengje punojësit humanitarë të cilët kanë ndihmuar të plagosurit, spitalet dhe mjekët”, thuhet në raportin e publikuar i cili mbulon periudhën prej marsit të vitit 2011 deri në mars të këtij viti.

Raporti në fjalë flet se mbi 3.980 punonjës humanitarë janë burgosuar nga grupe të ndryshme në Siri dhe se janë kryer 1.463 sulme mbi qendrat ku është shpërndarë ndihma humanitare.