Për tre muaj stafi i Veselit harxhoi afro 60 mijë euro për udhëtime, deputetët rreth 105 mijë euro

Në muajin tetor të vitit të kaluar, kur kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kishte udhëtuar për një vizitë në Çeki, me të kishin shkuar edhe pesë persona nga stafi i tij mbështetës.

Gjatë kësaj vizite, stafi i tij i ka harxhuar rreth 3.500 euro vetëm për akomodim dhe mëditje.

Gjatë tremujorit të fundit të vitit 2018, sipas Raportit të Shpenzimeve të Kuvendit, të cilin e posedon “Koha Ditore”, stafi i Veselit ka shpenzuar afro 60 mijë euro për udhëtime jashtë vendit. Në anën tjetër, për të njëjtën periudhë kohore, deputetët e Kuvendit kanë harxhuar afro 105 mijë euro.

Në tërësi, vitin e kaluar Kuvendi ka shpenzuar afro 9 milionë euro për paga e mëditje, subvencione e udhëtime brenda e jashtë vendit, si dhe shërbime të tjera.

Një përmbledhje e raportit me shifra të përgjithshme është prezantuar të mërkurën në mbledhjen e Komisionit për Buxhet dhe Financa. Deputetët kanë kritikuar posaçërisht shpenzimet për subvencione, si dhe shpenzimet e kabinetit të kryetarit, Kadri Veseli, për udhëtime jashtë vendit.

Kanë thënë se është e palogjikshme që në një udhëtim me kryetarin e Kuvendit të shkojnë kah pesë këshilltarë të tij, siç ka ndodhur, sipas tyre thuajse në secilin udhëtim vitin e kaluar.