Tri çështje kryesore do të jenë në tavolinën e diskutimit mes krerëve të institucioneve të Kosovës dhe atyre të Bashkimit Evropian.
Marrëdhëniet Kosovë-BE, liberalizimi i vizave dhe dialogu me Serbinë, do të jenë temat kryesore që do të diskutohen në takimin e sotëm në Bruksel.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, duke konfirmuar takimin e nesërm theksoi se çështja kryesore do të jetë liberalizimi, edhe ashtu i vonuar për qytetarët e vendit, transmeton Indeksonline.
Kreu i ekzekutivit dje është deklaruar se vendimi i Komisionit Evropian është vetëm një, nga tri vendimet që duhet t’i marrë BE-ja, për t’ua mundësuar qytetarëve të Kosovës lëvizjen e lirë në zonën Schengen.
“Nesër do ta kemi një prej tri momenteve, pra një prej tri vendimeve, është vendimi i Komisionit për ta hap procesin, pra vlerësimi që i kemi përmbushur kriteret e pritura, të paktën ashtu po pritet që të jetë. Mirëpo, nuk bërë të gëzohemi dhe të mendojmë që është kryer puna. Të gëzohemi po, se u hoq pengesa e parë, por janë edhe dy tjera. Duhet të jemi serioz në punë, është shumë e mundshme, ky proces nuk ka kthim mbrapa pas atij vlerësimi, mirëpo kohëzgjatja mund të varion, në vend se të ndodh në fund të këtij viti, mund të na shtyjnë. Pra ne duhet ta bëjmë punën që të ndodh në fund të këtij viti se edhe ashtu është bërë shumë vonë”, theksoi ai.