Duket se në Lëvizjen Vetëvendosej ka ndodhur një përplasje dhe ka filluar një përçarje ndërmjet deputetëve të saj në Kuvendin e Kosovës. Kështu, të paktën, del nga një letërkëmbim ndërmjet anëtarëve me ndikim të kësaj partie me kryetarin e Vetëvendosjes.
Këtë letërkëmbim e ka siguruar Koha.net.
Sipas një letre, çdo gjë ka filluar me një “fyerje publike” të deputetes së Vetëvendosjes Aida Dërguti që, sipas letrës, ia paska bërë themeluesit e liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Letra nuk tregon se ç’fyerje publike ka bërë deputetja Dërguti për Kurtin, por ajo shfaq shqetësime për zhvillimet në parti dhe për ta sqaruar këtë, sidomos “fyerjen publike”, ajo kërkon mbajtjen e mbledhjes së Kryesisë së Vetëvendosjes.
Se ka pasur përplasje, pa e bërë dramatik “rastin Dërguti – Kurti” e ka pranuar edhe vetë kryetari aktual i Vetëvendosjes Visar Ymeri me një letër, i cili zhvillimet e tilla ia ka quajtur normale dhe jo të dëmshme për partinë.
Për ngjarjen e fundit ndërmjet dy deputetëve në Vetëvendosje është interesuar dhe brengosur më së shumti Qendra e Vetëvendosjes në Tiranë. Ajo ka kërkuar sqarime shtesë rreth kësaj ngjarjeje.
Koha.net ka provuar të marrë sqarime e shpjegime nga zyrtarë të Vetëvendosjes, porse ka qenë e pamundur, pasi askush nuk e ka hapur telefonin.
Albin Kurti është në paraburgim me aktakuzën për terrorizëm – përdorim të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.
Më poshtë, Koha.net boton faksimilen e letërkëmbimit brendapartiak në Vetëvendosje.
Përgjigjen e kreut të Vetëvendosjes, Visa Ymeri, dërguar më 2 dhjetor, ndaj letrës së VV-së në Tiranë mund ta lexoni më poshtë, pa ndërhyrje:
Të nderuar anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm e të Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE!,
Të nderuar aktivistë të Lëvizjes nga Tirana,
E lexova me vëmendje letrën tuaj dhe pajtohem me një pjesë të konsiderueshme të saj.
Duhet ta them në krye të herës dhe që në fillim të kësaj përgjigjes sime që në asnjë mënyrë as nuk e mbështes, as nuk e pranoj, as nuk e arsyetoj e as nuk e kuptoj gjuhën e përdorur nga Aida ndaj Albinit në asnjë rrethanë, e aq më pak në rrethanat të cilat ju i shpjegoni në letër. Kjo përkundër dyshimeve absurde të ngritura në letër. Me ta parë përdorimin e asaj fyerjeje e kam marrë Aidën në telefon dhe e kam qortuar për këtë gjë duke kërkuar nga ajo që t’i fyerjet e ofendimet menjëherë.
Sidoqoftë, kjo është një pjesë e vogël e një problemi shumë më të madh e më të thellë që e kemi në Lëvizje tash e më shumë se një vit e i cili është mirëmbajtur e vazhduar përme shumë ofendimeve, shpifjeve,, insinuatave, sulmeve, herë publike përmes rrjeteve sociale, herë përmes agjitacionit te aktivistët e njerëzit jashtë Levizjes e nganjëherë nëpër forume të Lëvizjes. Ky problem kërkon zgjidhje gjithëpërfshirëse e jo parciale. Aq më pak përmes kërkimit të “kokës së turkut”.
Ne të hënën do ta kemi mbledhjen e kryesisë. Aty do të diskutojmë për strategjinë tonë për rastin e 4 aktivistëve të dënuar, për strategjinë tonë rreth procesit gjyqësor ndaj 4 deputetëve, si dhe për rrethanat që po krijohen me sjelljen e sërishme të marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi në Kuvend që pritet të ndodh të hënën.
Çështjen që e keni ngritur ju në letër, dhe poblemin e brendshëm në përgjithësi (kërkesa për të cilin kemi shumë, dhe së paku dy janë adresuar përmes emailit) do ta diskutojmë kur ta ketë mundësinë të marrë pjesë në mbedhje edhe Abini, marrë parasysh që kjo mund të ndodh më 7 dhjetor. Nëse Albini vazhdon të mbahet në paraburgim edhe pas kësaj date, atëherë do të flasim prapë dhe taa vendosim në rend të ditës në mbledhjen e kryesisë.
Ju faleminderit shumë e mirëmbetshi.
Miqësisht, Visari