Përfundon pa marrëveshje takimi mes LVV dhe LDK

Ka përfunduar pa marrëveshje takimi që zgjati tre orë midis kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafës.

Ky takim që vjen si përpjekje e radhës për të arritur një marrëveshje për bashkëqeverisje ndërmjet dy partive fituese nga zgjedhjet e 6 tetorit, u zhvillua në hapësirat e Kuvendit të Kosovës, njofton Klan Kosova.

Pas takimit, Avdullah Hoti nga LDK tha se marrëveshja nuk është përmbyllur ende dhe se takimet midis dy subjekteve do të vazhdojnë.

“Ne po i vazhdojmë takimet, nuk i kemi përmbyllur ende. Kaq mund të ju them për tani – nuk është përfunduar. Nuk kemi ardhur tek një konkludim dhe jemi pajtuar që të vazhdojmë edhe më tutje”.

Se nuk pati marrëveshje për një koalicion, e konfirmoi edhe Glauk Konjufca nga LVV i cili tha para gazetarëve se nuk pati marrëveshje dhe se mbetet të shihet në të ardhmen e afërt.

Kujtojmë se të dyja subjektet kanë arritur t’i harmonizojnë programet për bashkëqeverisje, por ndarja e ministrive dhe në veçanti posti i presidentit është bërë shkak që këto dy subjekte të kenë mospajtime.

Për t’u informuar më shumë rreth kësaj ngjarje, klikoni në linkun e mëposhtëm.