Përhapja e karkalecave në Afganistan kërcënon sigurinë ushqimore – VIDEO

Një shpërthim në shkallë të gjerë karkalecash në tetë provinca në veri dhe verilindje të Afganistanit po përbën një kërcënim të madh për sigurinë ushqimore të vendit, ka paralajmëruar Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e Kombeve të Bashkuara (FAO).

Dociostaurus Maroccanus, i njohur zakonisht si karkaleca marokene, renditet ndër dëmtuesit më të dëmshëm ekonomikisht të bimëve kudo në botë.

Një shpërthim i plotë këtë vit mund të rezultojë në humbje të të korrave që variojnë nga 700.000 në 1.2 milionë tonelata grurë, deri në një të katërtën e të korrave totale vjetore, sipas FAO-s.

Kjo barazohet me humbje nga 280 milionë deri në 480 milionë dollarë. Në provincën Baghlan, fermerët thonë se po u shkatërrohen të korrat nga karkalecat.