Perimet më të pasura me lëndë ushqyese dhe benefitet shëndetësore

Edhe pse të gjitha perimet janë të shëndetshme, disa dallohen për furnizimin e tyre me lëndë ushqyese dhe përfitimet e shumta shëndetësore.

Këtu janë disa nga perimet më të pasura me lëndë ushqyese për shëndetin:

Spinaqi kryeson tabelën si një nga perimet më të pasura me lëndë ushqyese. Spinaqi është i pasur me antioksidantë, të cilët mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut të sëmundjeve të ndryshme. Studimet tregojnë se spinaqi mund të përforcojë shëndetin e zemrës duke ndihmuar në uljen e presionit të gjakut.

Karrotat janë ndër burimet kryesore të vitaminës A. Një racion me karrota ofron 1,069 mikrogramë të kësaj vitamine, duke tejkaluar dozën e nevojshme prej 700 mikrogramë për femrat dhe 900 mikrogramë për meshkujt. Vitamina A është e domosdoshme për shëndetin e syve, lëkurës, dhëmbëve dhe kockave.

Brokoli përmban sulforafan, një përbërës  që ndikon direkt për një lëkurë të shëndetshme dhe për riparimin e dëmtimeve të lëkurës . Është gjithashtu i pasur me vitamina dhe minerale.

Hudhra është përdorur si një bimë mjekësore për mijëvjeçarë. Përbërësi kryesor është alicina, e cila ndihmon sheqerin në gjak dhe shëndetin e zemrës.

Lakrat e Brukselit përmbajnë kaempferol, një antioksidant që mund të mbrojë kundër dëmtimit oksidativ të qelizave dhe të ndihmojë në parandalimin e sëmundjeve kronike. Ato janë të pasura me fibra dhe shumë lëndë të tjera ushqyese.

Bizelet jeshile janë të pasura me fibra, të cilat mbështesin shëndetin e tretjes. Po ashtu janë një ushqim shumë i rëndësishëm për të forcuar mbrojtjen natyrore të organizmit, duke nxitur diurezën, funksionimin e duhur intestinal dhe duke riekuilibruar punën e zemrës.

Panxhari është i pasur me nitrate, të cilat trupi i konverton në oksid nitrik, një përbërës që mund të ndihmojë në zgjerimin e enëve të gjakut. Sipas studimeve, nitratet në lëngun e panxharit mund të ndihmojnë në uljen e niveleve të presionit të gjakut. Nga ana tjetër, kjo mund të ulë rrezikun e sëmundjeve të zemrës.

Asparagu është i pasur me disa vitamina dhe minerale dhe është një shtesë e shkëlqyer për çdo dietë. Marrja e mjaftueshme e folatit nga ushqime të tilla si asparagu mund të mbrojë kundër sëmundjeve dhe të parandalojë parregullsitë e zhvillimit të tubit nervor gjatë shtatzënisë.

Lakra e kuqe është e pasur me antioksidantë dhe veti të dobishme. Lakra e kuqe është gjithashtu e pasur me antocianina, një grup përbërësish bimorë që kontribuojnë në ngjyrën e saj të veçantë dhe përfitime të shumta shëndetësore.

Patatet e ëmbla dallohen për ngjyrën e tyre të gjallë portokalli, ëmbëlsinë dhe përfitimet mbresëlënëse shëndetësore. Një patate e ëmbël mesatare përmban rreth 4 gram fibra, 2 gram proteina dhe një sasi të mirë të kaliumit, manganit dhe vitaminave B6 dhe C. Kjo perime është gjithashtu e pasur në beta karoten, të cilën trupi e konverton në vitaminë A. Sipas studimeve, patatet e ëmbla mund të jenë veçanërisht efektive për rregullimin e sheqerit në gjak dhe niveleve të kolesterolit./ Healthline