Përkeqësohet kriza humanitare një muaj pas tërmetit të fortë

Sirianët po luftojnë ende me zhvendosjet dhe traumën e shkaktuar nga tërmeti i fortë që goditi veriun e vendit të shkatërruar nga lufta, njoftoi sot Këshilli Norvegjez për Refugjatët (NRC).

NRC paralajmëroi se Siria po përjeton një krizë humanitare që po përkeqësohet pas katastrofës natyrore.

Më 6 shkurt, dy tërmete me magnitudë 7.7 dhe 7.6 goditën Turqinë juglindore dhe Sirinë veriperëndimore. Më shumë se 50 000 te vdekur janë raportuar deri më tani.

“Disa njerëz duhet të mbijetojnë me një thes bukë dhe ushqim të konservuar, që është gjithçka që kanë marrë muajin e kaluar. Zhvendosja vazhdon të rritet ndërsa njerëzit strehohen në strehimore kolektive”, tha drejtori Rajonal i NRC-së për Lindjen e Mesme, Carsten Hansen.

NRC tha se donacionet deri tani kanë dështuar.

“Që nga 1 marsi, nga donatorët janë siguruar më pak se gjysma e gati 400 milionë dollarëve që nevojiten për Sirinë, sipas OKB-së”, tha ai.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, i cili ka dokumentuar dhunën në Siri që nga fillimi i luftës civile në vitin 2011, ka njoftuar alarmin për përkeqësimin e situatës humanitare.

Ndërkohë, Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) tha se mbi 850 000 fëmijë janë zhvendosur nga tërmetet pasi u larguan nga banesat e tyre të dëmtuara ose të shkatërruara në Turqi dhe Siri.

“Edhe përpara këtyre tërmeteve katastrofike, nevojat humanitare mes fëmijëve të Sirisë ishin më të larta se sa kanë qenë ndonjëherë”, tha drejtoresha rajonale e UNICEF-it për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, Adele Khodr.

UNICEF tha se nevojiten 172.7 milionë dollarë për të ofruar mbështetje të menjëhershme të 5.4 milionë njerëzve në Siri, përfshirë 2.6 milionë fëmijë, të prekur nga fatkeqësia.